Linen dëshiron ta vëzhgojë personalisht Skelën
Ervin Skela, kandidati për mesfushën e skuadrës së Bundesliga 2, Mynih 1860, dhe Kombëtarja kuqezi do të ndeshen të shtunën në një ndeshje miqësore me Greuther Furth në një sfidë miqësore në stadiumin "Playmobil". Në tribunën kryesore mund të jenë të ulur shumë zotërinj me bllokun e tyre të shënimeve. Pra, jo vetëm drejtori sportiv i Mynih 1860, Miki Steviç, dëshiron ta shohë Skelën. Edhe trajneri Evald Linen e ka regjistruar këtë eveniment në kalendarin e tij. "Mundet të udhëtoj të shtunën drejt Furthit", tha Linen të mërkurën. Fantazisti 32-vjeçar mund të jetë ideal për mesfushën me probleme të Mynih 1860. Vendimtare për Skelën do të jenë paraqitjet në miqësoren me Furthin dhe ndeshja eliminatore me Suedinë (të mërkurën). Këtë e thekson edhe menaxheri i tij, Bernd Kullman. "Kam folur sërish me Mynih 1860 në lidhje me Skelën. Tani ata dëshirojnë ta vëzhgojnë. Nëse ai do të lërë një përshtypje të mirë, pasi është në formë, atëherë mund të ketë shanse të arrihet marrëveshja". Tashmë gjithçka i mbetet vetë Skelës në dorë. Mesfushori shqiptar ka mbetur pa skuadër që nga koha kur ish-skuadra me të cilën militoi sezonin e kaluar, ra nga Bundesliga I. Menjëherë pas kësaj, në muajin qershor Skela prishi kontratën, e cila ishte e vlefshme vetëm për ligën e parë gjermane. Por gjatë merkatos së verës, ai nuk mundi të gjente një skuadër, pasi ofertat e marra nuk kënaqnin kërkesat e tij ekonomike. Kështu që Skela ka qenë i detyruar të presë deri tani, por për të mos humbur formën fizike, vlonjati i kuqezinjve është stërvitur në radhët e ekipit të dytë të Bajer Leverkusen.
A. Manallari
A. Manallari