Sopoti rikthen dhunën në futboll goditet gjyqtari, ndërpritet ndeshja
Masa të ashpra të FSHF-së deri në përjashtimin e disa ekipeve duket se nuk kanë mjaftuar. Skandali i radhës vjen po nga Kategoria e Parë dhe këtë herë shkaktari ka qenë Sopoti i Librazhdit. Ndeshja e prapambetur e javës së 6-të ndaj Elbasanit, e zhvilluar dje në këtë qytet, ka degjeneruar në incidente të dhunshme, të cilat janë bërë shkak edhe për ndërprerjen përfundimtare të takimit. Që në fillim takimi ka nisur në një atmosferë të tensionuar. Tifozeria vendase ka sharë vazhdimisht në korr trajneri e Elbasanit, Muharrem Dosti, i cili më parë ka drejtuar edhe ekipin e Sopotit. Lezi kaloi Sopotin në avantazh në minutën e 38-të. Por tensioni më i madh ka ardhur në momentin e penalltisë (Endri Dalipi 32‘) së golit të barazimit 1-1, pasi Elbasani pretendonte se edhe lojtari që e kishte shkaktuar ndërhyrjen e ashpër, duhej të dilet me karton të kuq. Në pjesën e mbetur ndeshja është ndërprerë disa herë nga pesë minuta. Por rreth minutës së 70-të situata ka dalë jashtë kontrollit. Shkak për këtë është bërë një ndërhyrje e ashpër e kapitenit të Sopotit, Shkëlqim Hajdari, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Në këtë moment, Hajdari i është vërsulur gjyqtarit, duke e gjuajtur me shkelma dhe grushte. Atij i është bashkuar edhe një grup lojtarësh vendas. Ndërsa mësohet se ka munguar ndërhyrja e policisë. Situata e tensionuar ka qenë edhe mes tifozerive, të cilat janë goditur me gurë. Hera-herës në shënjestër kanë qenë edhe futbollistët në fushë. Tensioni i jashtëzakonshëm ka çuar në ndërprerjen e ndeshjes, pasi në konsultat e palëve me treshen e gjyqtarëve u vendos të mos vazhdohej më. Pas ndërhyrjeve të drejtuesve lokalë, 17 minuta më vonë u vendos që të luhej të paktën vetëm për publik. Incidentet vazhdonin ende, ndërsa elbasanasit e frikësuar ishin inekzistentë në fushë. Vendasit shënuan golin e 2-1 në minutën e 74 me Zylyftarin. Por kur duheshin edhe 10 minuta ka ndërhyrë gjyqtari për ta ndërprerë ndeshjen, e cila ishte e pamundur të vazhdonte. Nga goditjet me gurë kanë mbetur të plagosur disa tifozë, me të cilëve edhe trajneri i të rinjve të Elbasanit, Shkëlqim Bishanaku, ndërsa janë shoqëruar në polici tre persona. Për fat të keq në fushë nuk kishte asnjë kamera. Pas këtij skandali, Elbasani kërkon tri pikët në tavolinë.
A. Manallari
A. Manallari