E Diel, 1 Nëntor 2026

Lini turistik. Asnje investim ne infrastrukture

Një fshat me bukuri të rralla, Lini i Pogradecit, ruan vetëm vlerat që natyra i ka falur dhe të parët e tij kanë lënë në mozaikun më të hershëm të Ballkanit përkatësisht i shekullit të VI . Turistët e shumëinteresuar për këtë peisazh natyror dhe për vlerat historike nuk kanë as minimumin e infrastrukturës akomoduese, përveç 10 shtëpive që hapin dyert e tyre në kuadër të turizmit familjar.

“Duke parë që fshati jonë ka një fluks të madh turistësh të huaj duke u nisur edhe nga historia e fshatit që është shumë i vjetër nisa të investoj gradualisht duke nisur që nga gatimi që është tradicional i fshatit, tava me peshk, lakrori në saç e çerjep”- thotë Thoma Kratellari, pronar i Shtëpisë së Miqve.

Mungesën e ujit të pijshëm, të kanalizimeve grumbullimin e mbeturinave e të tjera probleme që kanë bashkëfshatërt vihen në dukje edhe nga kryeplaku i fshatit.

“Kanalizimet, ujrat e zeza të cilat duhet të hiqen me çdo kusht se buzë liqenit nuk afrohesh dot të lahesh. Gjithashtu edhe plehrat duhet të hiqen. Kjo i ka detyruar fshatarët tanë të mos investojnë aq sa duhet në turizëm. Nëse shtetit do të vërë dorë në fshatin Lin që t’i bëjë ujrat e zeza si edhe pastrimin, gjithë fshatarët prioritet kanë turizmin”- tha kryeplaku Andon Shegani.

Të lënë në harresë për investime banorët e kësaj perle natyrore duhet të përpiqen vetë që ta bëjnë funksional turizmin edhe në dimër. Turistët vendas dhe të huaj që kanë dëgjuar dhe mbërrijnë për të shijuar bukuritë e linit janë vetëm ditorë për shkak të mungesave akomoduese e rrjedhimisht edhe të ardhurat nga turizmi për fshatin janë tepër të ulta cka nuk i ndihmon banorët e tij në investimet vetjake me impakt në turizëm.

Jorgjeta Gjanci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›