HEC, Berisha: Anuluesit svijnë kurrë në pushtet
TIRANË- Në kuadër të vazhdimit të nismës për qeverisjen e hapur, kryeministri, Sali Berisha ka njoftuar kalimin në procedurë dixhitale për gjithë koncesionet, në mënyrë që të interesuarit të lexojnë online të gjitha ofertat, fituesit dhe kushtet në të cilat janë fituar.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha ka deklaruar se me instalimin e kësaj praktike pas një pune intensive që ka bërë Agjencia e Prokurimeve Publike, Shqipëria realizon standardin më maksimal të transparencës që ekziston në këtë fushë.
Ne ishim vendi i parë në planet që kaluam në 100% prokurime elektronike, behemi vendi i parë me koncesione 100% elektronike. Ky vendim dhe instalimi i kësaj praktike bën të mundur futjen e rrezes së diellit në cdo qelizë të procesit të koncesionit. Përbën suksesin e dytë më madhor në historikun e këtij procesi pas miratimin e ligjit të ri për koncesionet, që shndërroi koncesionet nga një proces tërësisht i dështuar me ligjin e mëparshëm në njërin prej proceseve më të suksesshme në historinë e ndonjë vendi- tha Berisha.
Sipas tij, përpjekjet për të baltosur këtë proces përfunduan të gjitha aty ku e kanë vendin shpifjet dhe trillimet. Ai i ka quajtur përpjekje të tipit më mafioz për të bërë presion mbi fituesit e këtyre koncesioneve duke përbaltur një proces të ndershëm që ishin kryekëput shprehje interesave të pandershme të rretheve të caktuara të akuzave që u faktuan pa asnjë përjashtim të pavërteta, trillime e shpifje.
Natyrisht pasi doli se ato ishin trillime nga sirtarët u nxor qëndrimi i ri, që ishte anulimi i tyre. Me këto praktika sa të rrjedhë në det uji i lumenjve ata që ngrihen kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk vijnë ndonjëherë në pushtet. Të deklarosh se do anuloj ndërtimin e 320 hidrocentraleve do të thotë të mbledhësh fuqitë negative të natyrës dhe ti derdhësh kundër vendit tënd për të sterruar një proces jetik- tha Berisha.
Sipas tij, mbi këto kontrata janë firmosur minimumi 3 miliardë euro investime dhe mbi 100 mijë vende pune që krijohen në procesin e ndërtimit të tyre.