E Diel, 1 Nëntor 2026

Spastrohen gjeneralët. I hapet rrugë shitjes së detit dhe pasurive të flotës

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami

Luis Tanushi

Komisioni parlamentar i Sigurisë ka dalë me dy qëndrime të ndryshme në lidhje me gjeneralët e shkarkuar nga Ministri Imami në dhjetor të këtij viti. Grupi i punës i përbërë nga deputetët Piro Lutaj dhe Luan Skuqi të caktuar nga ky komision kanë përfunduar hetimin  në Ministrinë e Mbrojtjes për praktikat e ndjekura nga ky institucion për lirimin nga detyra të tre prej oficerëve madhore të ushtrisë shqiptare, Zaimi, Qirjazi dhe Çela. Gazeta Shekulli ka mundur që të sigurojë raportet e përgatitura nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Për mazhorancën, shkarkimi i tre gjeneralëve ka qenë në përputhje me praktikat ligjore dhe nuk ka asnjë shkelje, ndërsa për socialistët shkarkimi i gjeneralëve është bërë pa asnjë arsye ligjore dhe selektiv, për të goditur Gjeneralët të cilët kanë treguar integritet profesional gjatë ushtrimit të detyrave që kanë ushtruar. Të martën e ardhshme pritet raportimi në Kuvend dhe votimi I tyre nga anëtarët e këtij komisioni.

Raportet

Demokratët shprehen se largimi i oficerëve madhorë nga ushtria është bërë për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit në detyrë.  Sipas anëtarëve të djathtë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, qëndrimi i ushtarakëve në gradë dhe në detyrë, edhe pse kanë kaluar kohën minimale prej 3 vjetësh të qëndrimit në një gradë dhe nuk kanë përparuar në një gradë më të lartë, është bërë pengesë për zhvillimin normal të karrierës së ushtarakëve oficerë në Forcat e Armatosura. Në çdo moment ligjet legjitimojnë të drejtën e Ministrit të Mbrojtjes të propozojë shkarkimin nga detyra dhe daljen në rezervë të ushtarakëve me grada madhore në rast të plotësimit të kërkesave të parashikuara nga ligji për kohën dhe qëndrimin në një gradë dhe pa përparuar në një gradë më të lartë.

Pretendimi I ankuesve se nuk janë përmbushur kërkesat e nenit 11 të ligjit nr. 9171 datë 22.1.2004 Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisënuk është i drejtë, theksohet në raportin e përgatitur nga deputeti Luan Skuqi. Në raport thuhet se në lidhje me nenin 11 që pretendojnë ankuesit si i pazbatuar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Presidentit të Republikës, përcaktohet një situatë tjetër të nxjerrjes në rezervë ose në lirim të ushtarakëve të forcave të Armatosura.

Sipas raportit të demokratëve, dy janë rastet normale për nxjerrjen në lirim të ushtarakëve dhe është e drejtë e autoriteteve përkatëse të komandimit e drejtimit që të zbatojnë parashikimet e bëra në ligj, por jo të pretendojnë se vendimmarrja është e paligjshme. Ndërsa anëtarët e majtë në Komisionin e Sigurisë kanë kritikuar procedurën ligjore të ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes për shkarkimin e tre oficerëve madhorë. Sipas tyre, gjeneralët janë shkarkuar në shkelje të rëndë të ligjit Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Të majtët pretendojnë se tre ushtarakët e lartë duhet të vazhdojnë detyrën e tyre. Një prej rasteve është ai për Gjeneralmajor Arian Zaimi, i cili është titulluar oficer më 10 maj 1981 dhe në datën 16 dhjetor 2011 të Dekretit Nr. 7187 për daljen e tij në rezervë ka plotësuar vetëm 30 vjet e 8 muaj si kohë qëndrimi në shërbimin aktiv nga afati ligjor prej 35 vjetësh të parashikuar në ligj.  Pretendohet se nxjerrja në rezervë e gjeneralmajor Arian Zaimit 4 vjet e 4 muaj përpara kohës së parashikuar nga ligji, përbën shkelje ligjore.

Deklarata e Imamit

Problematika e dhënies së gradave në ushtrinë shqiptare është pranuar edhe nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami. Në një prej seancave dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri u shpreh se në jo pak raste komisionet e vlerësimit të karrierës së ushtarakëve kanë gabuar duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e ministrit dhe të Shefit të Shtabit për vlerësimin real të kandidatëve. Të flasim hapur, është e vërtetë që kur është bërë komisioni i gradave të gjeneralëve vendosi grada në mënyrë të paarsyeshme. Dhe kur një komision vendos në mënyrë të paarsyeshme, çdo kryeministër, çdo ministër, çdo titullar shteti, edhe presidenti është i detyruar të bëjë balancat e nevojshme. Unë në të gjithë këto dy vjetët kur kam pasur ndonjë rast flagrant, ose kur kam pasur ndonjë informacion kam ndërhyrë në çështjet e drejtpërdrejta të emërimeve apo gradave apo të kurseve. Fakti është që komisionet, po ju them edhe këtë gjë, një bisedë që kamë bërë me shefin e shtabit dje, komision aktual ka dhënë nota që janë në diferencë më tepër 2 për lidership për disa oficerë. Kam thënë të kthehet prapa, e nëse ata nuk do ta bëjnë, do të krijojmë një komision të ri, është shprehur ministri në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Detaje

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka rrëzuar kërkesat dhe pretendimet e Gjeneralëve (është dhënë vendimi për Zaimin dhe Çelën) në lidhje me parregullsinë dhe pavlefshmërinë e procedurës dhe akteve të Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Mbrojtjes, të cilat kanë disponuar mbi nxjerrjen në rezervë të ankuesve.

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ka përgatitur praktikën për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, mbështetur në nenin 93 lë Kushtetutës së Shqipërisë, nenin 7 dhe 8 të ligjit nr. 8671, dalë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkarkimin nga detyra dhe daljen në lirim të gjeneralëve.

Gjeneralmajor Arian Zaizmi, ka fituar gradën më datë 19.07.2007, duke tejkaluar me një vit afatin 3 vjeçar të qëndrimit në një gradë  (gradën Gjeneralmajorit).

Gjeneralbrigade Vladimir Qirjazi, ka fituar gradën më datë 10.06.2008 dhe është liruar nga detyra pasi ka tejkaluar afatin tre vjeçar të qëndrimit në këtë gradë.

Kundëradmiral Kudret ÇELA, ka fituar gradën që mban më datë 04.06.2001, duke tejkaluar rne 7 vjet afatin e qëndrimit në një gradë dhe duke qëndruar për një periudhë mbi 10 vjet (me gradën madhore lë oficerit) si oficer me gradë madhore në radhët e FA.

 Kreshpani del mbi ujë, propozohet për gjeneral

Ministria e Mbrojtjes përgatit aktin e riciklimit të Ferdinand Kreshpanit në krye të Forcës Detare. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se një ndër emrat e përfshirë në listë për gradim është edhe ai i komandantit të shkarkuar, emërimi i të cilit provokoi një situatë të pazakontë në pikëpamjen ligjore dhe institucionale. Ndërkohë duket se Ministria e drejtuar nga Arben Imami po ndërton vlerësimin e karrierave mbi bazën e preferencës dhe kjo mund të gjejë kuptim në faktin se nga Komisioni i Vlerësimit të Karrierës nga Flota është lënë jashtë propozimit për gradim ish-zv. komandanti i saj, Artur Meçollari. Formalisht ekipi që merret me këtë punë vepron në përputhje me  rregullat, por në dritën e zhvillimeve të fundit çdo vendim që përafron një ngritje në karrierë në sektorin e Flotës nuk mund të kalojë pa dyshime. Aq më tepër kur ish-zv.komandanti i Flotës me shkollimin e vet është investim i pastër i Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë fazë, çështja që zgjon më shumë interes është nëse Imami do të ripropozojë Kreshpanin për komandant të Forcës Detare, pasi ky i fundit të ketë përfituar gradën e kundëradmiralit. Nëse po, atëherë loja kalon në zyrën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili do të duhet të lëshojë dekretimin. Në këtë shtjellë marrëdhëniesh të detyrueshme, vlen të sillet ndërmend, se që prej emërimit vetëm me urdhër ministri të Ferdinand Kreshpanit e deri në largimin e tij përmes revokimit t

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›