Berisha: Opozita, përpjekje për të baltosur koncesionet

Kryeministri Berisha akuzoi sot opozitën se po përpiqet të nxijë procesin e koncesioneve në Shqipëri.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha duke e cilësuar këtë përpjekje si mafioze theksoi se ato kanë përfunduar që të gjitha aty ku e kanë vendin shpifjet dhe trillimet.
"Përpjekjet e tipit më mafioz për të bërë presion mbi fituesit e këtyre koncesioneve duke përbaltur një proces të ndershëm ishin kryekëput shprehje e interesave të pandershme të grupeve të caktuara të akuzave që u faktuan pa asnjë përjashtim të pabaza, të pavërteta, trillime dhe shpifje” ka theksuar Berisha.
Duke iu përgjigjur deklaratave të kryesocialistit Rama se kur PS-ja të vijë në pushtet do të anulojë të gjitha koncesionet e firmosura nga kjo qeveri, Berisha theksoi se ata të cilët dalin kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk mund të vijnë kurrë në pushtet.
“Natyrisht pasi doli se ato ishin trillime nga zyrtarët u nxorr qëndrimi i ri i cili ishte anulimi i tyre. Me këto praktika sa të rrjedh ujë në det dhe lumenj, ata që ndihen kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk mund të vijnë ndonjëherë në pushtet sepse të deklarosh se do të anulosh ndërtimin e 320 HEC-eve do të thotë që të mbledhësh të gjitha fuqitë negative të natyrës dhe ti derdhësh kundër vendit tënd për të sterruar një proces jetik ku asetet dhe pasuritë shndërrohen në vlera” ka shtuar Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha ka njoftuar kalimin në procedurë dixhitale për gjithë koncesionet, në mënyrë që të interesuarit të lexojnë online të gjitha ofertat, fituesit dhe kushtet në të cilat janë fituar.
Sipas tij me instalimin e kësaj praktike pas një pune intensive që ka bërë Agjencia e Prokurimeve Publike, Shqipëria realizon standardin më maksimal të transparencës që ekziston në këtë fushë.
“Ne ishim vendi i parë në planet që kaluam në 100% prokurime elektronike, bëhemi vendi i parë me koncesione 100% elektronike. Ky vendim dhe instalimi i kësaj praktike bën të mundur futjen e rrezes së diellit në çdo qelizë të procesit të koncesionit. Përbën suksesin e dytë më madhor në historikun e këtij procesi pas miratimin e ligjit të ri për koncesionet, që shndërroi koncesionet nga një proces tërësisht i dështuar me ligjin e mëparshëm në njërin prej proceseve më të suksesshme në historinë e ndonjë vendi” shtoi Berisha.