E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi: Nuk jam i hidhëruar, kam ende kohë

Lionel Mesi këmbëngul se nuk u hidhërua që humbi duelin e drejtpërdrejtë me Kristiano Ronaldon për "Topin e Artë". Ylli argjentinas i Barcelonës, shihej si i vetmi futbollist që rivalizonte me portugezin për çmimin si "Lojtari Evropian i Vitit". Gjithsesi, ai u klasifikua vetëm i dyti, duke lënë pas lojtarë klasi si Fernando Torres, Kasiljas, Ksavi, David Vija e Ibrahimoviç. Pas publikimit të rezultatit zyrtar, për të cilin votuan 96 gazetarë, Mesi nuk u shfaq i zhgënjyer dhe shprehu besimin se në të ardhmen do të jetë në pozita më të mira për të fituar. Talenti i Barçës deklaroi: "Asnjëherë nuk jam shqetësuar për ‘Topin e Artë‘, madje as tani. Për fat të mirë, gjërat po ecin mirë për mua. E kam theksuar gjithmonë se ka më shumë rëndësi që të luaj mirë dhe të ndihmoj skuadrën time të fitojë sa më shumë trofe që të jetë e mundur. Jam vetëm 21 vjeç e kam ende edhe shumë për të dhënë në futboll".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›