Champions, Bajern e Lion në gjysmëfinale
Bajerni i Mynihut dhe Lion janë gjysmëfinalistet e tjera të këtij edicioni të Ligës së Kampioneve. Të dyja skuadrat kanë humbur në takimet e kthimit, por arrijnë të kualifikohen. E jashtëzakonshme mbrëmja e bavarezëve, që vetëm pas 41 minutave lojë dukeshin të eliminuar, pas avantazhit 3-0 të Mançester Junajtid. Megjithatë, gjermanët shkurtojnë shifrat në 3-2 dhe vazhdojnë aventurën falë dy golave në fushën kundërshtare (rezultati i përgjithshëm 4-4) me Oliç dhe Roben.
Mbrëmja në “Olld Traford” nisi si një ëndërr, por u shndërrua në makth për “Djajtë e Kuq”. Surpriza e parë e supersfidës së Champions-it ishte aktivizimi i Uejn Runit prej minutës së parë kundër Bajernit. Aleks Ferguson vendos të rrezikojë lojtarin më të mirë, i cili ende nuk ishte rikuperuar nga dëmtimi, në një sfidë ku “Djajve të Kuq” nuk u lejohej të dështonin. Vendasve i kanë mjaftuar vetëm tri minuta lojë që të zhbllokonin avantazhin me Darron Gibson. Pas një shkëmbimi me Runin, mesfushori godet në mënyrë të papritur dhe mposht portierin Bat. Junajtid dyfishon rezultatin katër minuta më pas me Nanin. Mesfushori portugez përfiton nga lëvizjet e bukura të Valencias në të djathtë dhe me një finte të shkëlqyer përshëndet rrjetën. Bajerni duket i trullosur, bavarezët dukej se nuk po e kuptonin se çfarë ka ndodhur në fushë: dy gola të pësuar në harkun e shtatë minutave ishin një dush i ftohtë për të besuarit e Van Gal. Rreziku i parë i bavarezëve vjen në të 39-n, me Oliç që i vetëm me portën, nuk arrin të kalojë portierin Van der Sar. Minuta e 41-të sjell edhe golin e tretë të Mançesterit, me protagonist sërish Nanin. Kur dukej se miqtë kapitulluan, vjen edhe goli i Oliç, i cili rihap ndeshjen vetëm dy minuta përpara pushimit mes pjesëve. Në fraksionin e dytë të lojës, situata komplikohet edhe më shumë për Junajtid, që në të 50-n mbetet në inferioritet numerik pas kartonit të dytë të verdhë të brazilianit Rafael. Bajerni kërkon të përfitojë dhe ushtron një presion të jashtëzakonshëm. Miqtë rrezikojnë me Riberi, Mario Gomez e Shvajnshtajger, pa arritur të konkretizojnë, ndërsa anglezët kundërpërgjigjen rrezikshëm me Nanin e Gibson. Në të 74-n është Roben ai që realizon një gol të jashtëzakonshëm, duke mposhtur me goditjen e tij fluturimthi Van der Sar. Me rezultatin 3-2 është Bajerni skuadra që kualifikohet në gjysmëfinale, falë dy rrjetave në fushën kundërshtare.
Në derbin francez, loja ka qenë e tensionuar. Bordo kërkonte përmbysjen e madhe dhe kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa Lioni mbrojtjen e rezultatit 3-1. Gjatë pjesës së parë, vendasit e drejtuar nga Loren Blank kanë rrezikuar në disa raste, me Gurkuf, çamak e Diarra, me gjuajtjen e këtij të fundit që është përplasur në traversë. Në të 44-n ka ardhur goli i shpresës për Bordonë me çamak, por në 45 minutat e mbetura, ata nuk kanë arritur të shënojnë dhe Lioni kualifikohet falë fitores 3-1 në takimin e parë.
#