Lioni kërkon Lorik Canën
Pas eksperiencave me Paris St Germain dhe Olimpikun e Marsejës Lorik Cana, kapiteni aktual i Sunderland mund ti bashkohet një tjetër klubi të madh francez, Olimpik Lion. Spekulimi vjen nga gazeta e përditshme franceze “Le Progrès”, që thekson se drejtuesit e Lionit interesohen për ish-kapitenin e Marsejës për ta pasur si partner në mesfushë pranë Jérémy Toulalan.
Mavraj, fiton 63% të dyluftimeve
Mbrojtësi Mërgim Mavraj është vlerësuar me nota pozitive për paraqitjet e tij gjatë fazës së parë me Bokumin në Bundesligën 1 gjermane. Sipas gazetës “Revier Sport”, Mavraj duhet të jetë krenar pasi ka fituar 63 për qind të dyluftimeve. Mbrojtësi shtatlartë është aktivizuar në 13 ndeshje (nota mesatare 3.42) dhe ka dominuar sidomos në lojën në terren se sa në ajër, duke shkaktuar pak faulla, më pak se një faull për ndeshje( 10 faulla në 13 aktivizime). Mërgim Mavraj është kandidat potencial për te veshur fanellën e Kombëtares kuqezi. Trajneri Kuzhe ka konfirmuar faktin se ai do të thirret në miqësoren e parë ndërkombëtare të përfaqësueses për vitin 2010.
Timparano firmos me Dinamon
Sulmuesi argjentinas Maksimiliano Timparano firmosi për një vit me Dinamon. Kontrata e huazimit të 21-vjeçarit nga Velez Sarsifield me blutë kryeqytetas skadon më 30 dhjetor 2010. Lajmi u bë ditur nga faqja zyrtare e klubit, dinamo.al. Timparano, i cili në karrierën e tij ka luajtur edhe me Çakarita, bëhet kështu argjentinasi i katërt në radhët e kryesuesve të Kategorisë Superiore, pas Rafael Sozës (4 gola), Lukas Malarkanes (2 gola) dhe Nikolas Del Monte. Te Dinamo luajnë edhe senegelazi Pape Diop dhe serbi Marko Putinçanin. Në provë të Dinamo janë sulmuesi Semiran Çela (21 vjeç) dhe mbrojtësi i majtë serb Vladimir Jovanoviç (23 vjeç), ndërkohë që priten edhe Emiliano Vila dhe mbrojtësi Elvin Beqiri.
6 Janar 2010