E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni Artificial, në prag të ndotjes, nuk dihet shkaku



DSHP: Analizat paraprake, nuk ka ndotje bakteriale

Prokuroria nis hetimet për gjetjen e shkaktarëve

Materiale inerte të hedhura në anë të digës në Liqenin Artificial në Tiranë rrezikojnë të shkaktojnë ndotje. Deri tani rezulton se rreth 70% për qind e sipërfaqes së liqenit të ketë marrë ngjyrë jeshile, ndërsa prej ditësh kundërmon erë. Banorët e zonës, të shqetësuar, kanë lajmëruar menjëherë specialistët e mjedisit dhe Bashkinë e Tiranës.

Analizat

Pas kësaj, specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik kanë filluar kryerjen e analizave paraprake dhe sipas tyre, deri tani rezulton se uji i Liqenit Artificial në Tiranë nuk ka ndotje sanitare dhe as shtim të ngarkesës bakteriale. Ndërsa theksojnë se si pasojë e materialit të hedhur në liqen, një pjesë e mirë e gjallesave janë dëmtuar. “Edhe pse boja nuk ka dhënë efekt të menjëhershëm, mungesa e oksigjenit në ujin e liqenit do të çojë drejt ngordhjes të tjera gjallesa”, - shprehen specialistët. Sipas tyre, fenomeni ka ardhur për shkak të hedhjes së disa materialeve inerte ndërtimi në të, ndërkohë, situata vazhdon të jetë në ndjekje të vazhdueshme për kryerjen e analizave kimike nga Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM).

Por, pavarësisht se nuk ka rrezik për shëndetin e njerëzve, DSHP-ja këshillon që njerëzit nuk duhet të lahen në liqen. Mendohet se ndotja, për shkak të hedhjes së materialeve inerte, lëndë kimike (bojë) në trajtë pluhuri, ka nisur në pjesën perëndimore të liqenit artificial.

Drejtori i DSHP-së, duke konsideruar se hedhja e këtyre materialeve inerte në liqen është një veprim i parregullt, theksoi se “është vepruar në mënyrë të papërgjegjshme”. DSHP-ja ka kërkuar nga Bashkia e Tiranës dhe organet e policisë të zbardhin ngjarjen dhe të ndëshkojnë përgjegjësit që shkaktuan ndotjen e liqenit.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi. Ai e ka konsideruar ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës katastrofë ekologjike. Shalsi tha: “Kjo është një ngjarje e rëndë, e cila do të ketë pasoja katastrofale ekologjike për liqenin. Duhet të gjenden urgjentisht shkaktarët e kësaj tragjedie, që të mos ndodhin më ngjarje me të tilla përmasa”.

Ngjarja

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur të dielën në darkë. Punëtorë të bashkisë prej ditës së djeshme kanë filluar menjëherë pastrimin e sipërfaqes së liqenit nga ndotjet, ndërsa në bregun përballë digës, peshkatarë amatorë vazhdonin gjuetinë. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në Liqenin Artificial të Tiranës është vënë re një ndotje në sipërfaqe të tij, në anë të digës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›