E Diel, 1 Nëntor 2026

Transportonte 4 kg marijuanë me furgon, në pranga pasagjeri



Operacioni “Bishtpëllumbi” / Arrestohet Armir Qazimi, droga destinacion tregun vendas

Kishte menduar që të transportonte 4 kg marijuanë me një furgon të rastit nga Erseka në Korçë, por është vënë në prangat e uniformave blu. Policia arrestoi ditën e djeshme 24-vjeçarin Armir Qazimi me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Pas informacioneve të marra, agjentët realizuan operacionin “Bishtpëllumbi”, gjatë të cilit sekuestruan sasinë e lëndës narkotike të llojit kanabis sativa. I riu gjendet në ambientet e paraburgimit, në pritje për të marrë masën e arrestit, që do të jepet nga gjykata e rrethit. Rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, specialistët e Sektorit të Krimit të Organizuar ishin pozicionuar në aksin rrugor Ersekë-Korçë. Kjo, pasi ata kishin marrë informacione për një sasi droge, e cila do të kalonte në këtë rrugë. Në vendin e quajtur “Ura e Dukës”, uniformat blu kanë parë një furgon i cili po lëvizte. Në bazë të informacioneve të marra, se aty ndodhej personi i dyshuar, ata i bënë shenjë shoferit që të ndalonte. Menjëherë, punonjësit e policisë janë futur brenda, ndërkohë që u kanë kërkuar pasagjerëve që të dalin jashtë. Pas kontrolleve të kryera, ata kanë arritur që të gjejnë brenda një çante, një sasi lënde të dyshuar si marijuanë. Ajo ishte e mbështjellë me letër natriban ngjyrë kafe dhe e presuar. Ndërkohë që u vu në pranga edhe personi, i cili zotëronte këtë çantë. Ai është 25-vjeçari Armir Qazimi. Pas ekspertizës së bërë, rezultoi se lënda ishte e llojit kanabis sativa. Sipas burimeve nga policia, i riu banues në Korçë kishte menduar që ta transportonte drogën si pasagjer në një furgon të linjës, për të mos rënë në sy të policisë, duke arritur kështu që t’i shmanget kontrollit dhe arrestimit. Megjithatë, agjentët kishin arritur që të binin në gjurmë të “punës” së të riut, pas hetimeve të nisura. Qazimi u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara Gjykatës së Rrethit të Korçës, për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›