E Diel, 1 Nëntor 2026

Liqeni i Prespës në Korçë përballet me ngordhjen masive të sardeleve

Një sasi e konsiderueshme peshqish, kryesisht sardele (cironka), janë gjetur të ngordhur në bregun e liqenit të Prespës, pasi u konstatuan rastësisht nga peshkatarët, që vunë në dijeni drejtuesit në komunën e Liqenasit. Sipas burimeve nga komuna e Liqenasit, mësohet se peshqit e ngordhur janë gjetur përgjatë vijës breg-liqenore në dy fshatrat, Liqenas dhe Zaroshkë. Ngordhja e peshqve, të cilët kanë mbushur krejt bregun e liqenit të Prespës, ndikon negativisht jo vetëm në mjedis, por edhe për sezonin turistik, në kushtet e temperaturave të larta. Burime nga komuna bënë të ditur se do të merren masa shumë shpejt për largimin e peshqve të ngordhur pasi për shkak të kalbjes dhe përhapjes së erës së keqe, rrezikohet zona e plazhit dhe turizmi në këtë zonë. Një ekip kontrolli me inspektorë veterinarë pritet të mbërrijë në Liqenas për të parë nga afër situatën dhe për të marrë kampione. Kjo është e dyta herë në pesë vitet e fundit që ndodh ky fenomen. Tre vjet më parë specialistët konkluduan se ngordhja e peshqve ishte shkaktuar nga lëvizjet tektonike të liqenit të Prespës ku për pasojë, çlirimi i gazrave çoi në asgjësimin e peshkut të vogël. Liqeni i Prespës është një ndër liqenet me ujëra të freskëta në Evropë që u takon tre shteteve Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë me një sipërfaqe të përgjithshme prej 313.6 km2 nga të cilat 190 km² i takojnë Maqedonisë, 84.8 km² Greqisë dhe 38.8 km² Shqipërisë. Prespa është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan me 853 metra thellësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›