E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni i ndotur, nis sherri për fajtorin

Liqeni artificial i kryeqytetit, përveç "halleve" që ka me ndotjen e pak ditëve më parë, e cila po shuan gjallesat që jetojnë në këtë ekosistem, tashmë duhet të përballet edhe me sherrin e radhës bashki-qeveri.

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në një qëndrim zyrtar të mbajtur dje për çështjen e ndotjes së liqenit me mbetje kimike, ka fajësuar si përgjegjëse kryesore Bashkinë e Tiranës. Sipas përfaqësuesve zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, është Bashkia e Tiranës ajo që duhej të kujdesej për mbrojtjen e këtij liqeni që është në administrim të këtij institucioni të pushtetit vendor.

"Administrimi dhe ruajtja e Parkut Kombëtar të liqenit artificial të Tiranës është përgjegjësi ligjore e Bashkisë së Tiranës", u shpreh dje zëdhënësi i shtypit në MMPAU. Përmes një qëndrimi të tillë, ky institucion duket se e ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke u kujtuar drejtuesve të bashkisë kryeqytetase detyrimet e tyre ndaj kësaj zone. Kjo, duke marrë parasysh edhe faktin se për liqenin artificial të Tiranës, në borderotë e bashkisë ka persona që paguhen për ruajtjen e tij, pa harruar këtu edhe policinë bashkiake. Por, nga ana tjetër, përfaqësues të pushtetit vendor kryeqytetas pohojnë faktin se si për një zonë të mbrojtur me ligj, që gëzon statusin e Parkut Kombëtar, përgjegjësi të veçantë mban Ministria e Mjedisit, e cila nuk mund të shmanget, duke kërkuar fajtorë në bashki. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, me t‘u mësuar lajmi i ndotjes së liqenit, në vendngjarje deklaroi se "ky pushtet i shkatërrimit e i ndotjes, s‘ka asnjë kontroll mbi territorin dhe ka përgjegjësinë e kthimit të kodrave të liqenit në lagje banimi me ujëra të zeza që derdhen në liqen". Numri dy i Bashkisë së Tiranës ka kërkuar "që prokuroria të hetojë dhe të nxjerrë përgjegjësit për këtë masakër ekologjike". Sipas Shalsit, kjo gjendje ka ardhur si rezultat i keqpërdorimit mjedisor të territorit, pasi nuk ka një administrim të mirë të pushteteve dhe prandaj ndodhin katastrofa të tilla.

Masat

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, përmes përfaqësuesit të saj ka kërkuar gjithashtu nga Bashkia e Tiranës marrjen e masave të menjëhershme për pastrimin e ujit të liqenit artificial. Aktualisht nuk ka një plan ndërhyrjeje për pastrimin e ujërave të ndotur të liqenit nga hedhja e disa lëndëve inerte, lëndë kimike (bojë) në trajtë pluhuri, duke nisur nga pjesa perëndimore e tij. Variantet e hedhura nga specialistët për "trajtimin" e ujërave të ndotur të liqenit janë dy: ose derdhja e ujërave të ndotur dhe shtimi i ujërave të pastër në vëllimin e përgjithshëm të tij; ose pastrimin përmes metodës së filtrimit të ujërave. Kjo e fundit është vlerësuar si më e kushtueshme edhe për shkak të mungesës së pajisjeve të posaçme dhe teknologjisë që nevojitet në raste të tilla. Për më tepër, shpjegojnë specialistët, situata vështirësohet nisur nga fakti se mungon eksperienca në përballje me katastrofa ekologjike. Ndërkohë që vështirësitë rriten edhe prej mungesës së qarkullimit të ujit të rrjedhshëm në këtë basen.

Analizat

Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve vetëm dje ka nisur punën për analizat e ujit në liqenin artificial të Tiranës. Përfaqësues të kësaj agjencie pranë Ministrisë së Mjedisit kanë marrë kampionë për kryerjen e analizave fiziko-kimike. Ndërkohë që është premtuar të zbardhen brenda pak ditësh rezultatet e analizave që ata do të kryejnë. Është dashur të kalojnë plot katër ditë nga ndotja e liqenit artificial me mbetje inerte (sikundër u konkludua fillimisht), që kjo agjenci të reagonte për të nisur procedurën e analizimit të ndotjes dhe gravitetit të saj në këtë ekosistem.

Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj, ka apeluar të gjithë aktorët që kanë përgjegjësi në këtë situatë, të ndërhyjnë për të zgjidhur problemin e ndotjes në liqenit artificial të Tiranës, në mënyrë që ky ekosistem të shpëtohet sa nuk është vonë.

Ngjarja

Ndotja e liqenit mendohet të ketë ndodhur të dielën në darkë, ndërkohë që era e rëndë dhe ngjyra karakteristike jeshile u vunë re nga banorët vetëm dy ditë më parë. Këta të fundit ishin ata që dhanë alarmin tek autoritetet. Pas vlerësimeve të para u konstatua se aty ishin derdhur rreth 3 kuintalë bojë hidromat, që përdoret nga firmat e ndërtimit. Territori i Komunës së Farkës, që rrethon nga njëra anë liqenin artificial, është shndërruar në një qendër të dendur banimi, ku ndërtimi i pallateve vijon me shpejtësi, duke pushtuar çdo sipërfaqe të gjelbër të saj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›