E Diel, 1 Nëntor 2026

Liri Berisha viziton familjet e dëmtuara nga tragjedia

Banorët e zonës së Gërdecit, të cilët jetojnë në ambientet e Kavalishencës, janë vizituar dje edhe nga bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha. Zonja e Kryeministrit ka qenë e shoqëruar nga një grup gazetarësh, të cilët kanë kontribuar për të ndihmuar të dëmtuarit e kësaj tragjedie. Shkak i vizitës së Liri Berishës është bërë një letër e shkruar nga Thëllëza Gërdeci, e cila në përpjekje për të rifilluar sërish jetën, i kërkonte ndihmë bashkëshortes së Kryeministrit për disa pajisje parukerie, që të mund të hiqte sadopak mërzinë dhe stresin. Pas katër ditësh, Thëllëza ka mundur të ketë parukerinë që ka kërkuar, pasi bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, i ka mundësuar krijimin e ambientit dhe pajisjen e saj me mjetet e duhura. Në ditën e parë të hapjes së kësaj parukerie ka qenë e pranishme dhe Liri Berisha, e cila u shpreh se "ndihej e lumtur që Thëllëza së bashku me gratë e tjera, që janë strehuar në këto mjedise, tashmë e kanë kaluar stresin e ditëve të para". Zonja Berisha ka falënderuar të gjithë ata që janë solidarizuar me banorët e zonës së dëmtuar dhe kanë kontribuar për lehtësimin e pasojave. "Fondacioni ‘Fëmijët e Shqipërisë‘ do të vazhdojë kontributin për të gjithë banorët e veçanërisht për fëmijët dhe nënat e tyre", vijoi ajo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›