"Po punojmë për kthimin e tyre në shtëpi"
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar dje një vizitë te banorët e akomoduar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Këta banorë janë akomoduar në ambientet e Kavalishencës pas dëmtimit të shtëpive të tyre nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec. Gjatë qëndrimit të saj në Durrës, Kryetarja Topalli ka biseduar me banorët e prekur nga tragjedia, lidhur me kushtet e qëndrimit, si dhe problematikat e tyre për të ardhmen. Pas bisedës me këta banorë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur për mediat se gjendja e fëmijëve të strehuar në këtë qendër po përmirësohet gjithnjë e më shumë. "Trauma e tyre është e thellë, por në këto mjedise ata kanë të gjithë kujdesin për ta harruar sa më shpejt tragjedinë e 15 marsit", tha Topalli. Nënat e këtyre fëmijëve, ka theksuar më tej Kryetarja e Kuvendit, tashmë po shohin nga e ardhmja, prandaj që të gjithë po punojmë që këta banorë të rikthehen sa më shpejt në banesat e tyre. Banorët e Gërdecit janë vendosur prej dy javësh në ambientet e Kavalishencës në Durrës, në pritje të rindërtimit të shtëpive të tyre. Aktualisht qeveria ka premtuar se do të ndërtojë dhe kompensojë të gjitha shtëpitë e shkatërruara nga shpërthimi i Gërdecit. Prej disa ditësh ka përfunduar vlerësimi i dëmeve materiale dhe drejtuesit e pushtetit lokal, të mbikëqyrur edhe nga shtabi i emergjencës, kanë nisur ndarjen e fondeve për secilin kryefamiljar që ka humbur pasurinë e tij nga kjo tragjedi. Gjithashtu, sipas ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes, tashmë në pjesën më të madhe të zonës ka mbaruar edhe kontrolli për mbetjen e predhave në këtë zonë, duke i siguruar banorët se mund të shkojnë lirisht në banesat e tyre.