Varfëri në Amazonë
NE SHQIPTART DHE BOTA ONLINE
Atdhetarizmi është dashuri e përkushtim i një populli apo individi për vendin dhe vlerat e tij. Dhe këto ndjenja mund të tregohen me fjalë ose veprime. Por kur mungojnë kushtet që ato të mbruhen e shprehën nga të gjithë njësoj, atdhetarizmi i ngjan një gare të padrejtë dhe ai që del i pari vetëshpallet më atdhetar se tjetri.
Kjo garë, jo sportive, me një çmim kaq të lartë, shpesh i bën njerëzit të harrojnë qëllimin përse vrapojnë. Në raste të tilla, mes tyre lind smira, inati e xhelozia, dashuria vritet, e bashkë me të edhe vetë ata që përpiqen të dashurojnë. Pista e garës për atdhetarizëm bëhet kurth, dhe vrapuesit u ngjajnë atyre që bien në moçal, nga ku sa më shumë përpiqen të dalin prej tij, aq më thellë zhyten derisa humbasin.
Në raste të tilla, shprehja “atdhetar”, për nga forca e pasionit, i ngjan vetëm asaj të urrejtjes që ndez përdorimi i fjalës “tradhtar”. Të dyja këto ndjenja të kundërta ndeshen sot në thuajse të gjitha bisedat a debatet politike, shoqërore, fetare e kulturore, mes shqiptarëve, në botën reale a virtuale.
Librat historikë, biografikë, me kujtime gjithmonë kanë luajtur rol sqarues e zbutës në këtë drejtim, pasi duke përhapur njohuri, libra të tillë nxisin krijimin e kushteve që të gjithë njerëzit të jenë në gjendje ta duan njësoj, me fjalë a vepra, atdheun e tyre. Por këto kushte bëhen të barabarta për të gjithë vetëm kur libra të tillë me vlera njohëse edukative gjenden kudo e në çdo kohë dhe kur shtypja e numrit të mjaftueshëm e shpërndarja e tyre sponsorizohet a nxitet nga shteti, i cili ndodhet aty që të administrojë dhe përkujdesjet për përhapjen e vlerave të kombit mes gjithë shtetasve të vet
Por një lloj zhgënjimi krijohet, kur vizitohet faqja më të njohur elektronike e librit “amazon.com” dhe aty nuk gjenden shumë nga librat për të cilët shqiptarët sot kanë më shumë nevojë. Për shembull aty nuk ndodhet në shitje asnjë libër mbi historinë e Skënderbeut, përfshi veprat e mirëfilltat të Barletit e Nolit, pa përfshirë të autorëve të tjerë vendës a të huaj e që nuk janë pak. Një gjendje e ngjashme vihet re edhe në qendra të tjera globale të shitjes së librit në internet.U shërben çdo ditë qindra mijëra në mos miliona njerëzve në mbarë botën, por aty mungojnë libra studimorë rreth figurave të Rilindjes kombëtare si të vëllezërve Frashëri, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Prishtinës e shumë të tjerëve, megjithëse ato ekzistojnë. Gjithashtu nuk mund të gjendet asnjë libër prej studiuesve të njohur të gjuhës e kulturës shqipe si Çabej, Koliqi, Camaj e shumë të tjerëve. Por në librarinë elektronike më të madhe në botë, nuk gjendet në shitje qoftë edhe një kopje e Historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërkohë që mendohet se më shumë se 1/3 e kombit jeton larg atdheut, në mërgim, ku një brez fëmijësh, të rinj a te reja, pritet të ruajnë traditat e të parëve, por që më parë duhet t'i mësojnë.
Mes librave rreth shqiptarëve, “Memoirs of Ismail Kemal Bey” (London 1920), është sot një ndër librat më të kërkuar në botë (një kopje që ndodhej para pak kohësh në një dyqan antikuarësh në Londër mbante çmimin prej rreth një mijë dollarësh. Thuhet se librat, si “Kujtimet e Ismail bej Qemalit”, të shkruar në kohë të vështira, vlejnë më shumë në kohë paqeje. Ato përmbajnë përvojë, mësime, urtësi, por që bëhen të vlefshme vetëm kur përhapen. Megjithatë aq të paarritshëm janë sot këto libra për lexuesin e gjerë, saqë e shtyjnë tjetrin të mendojë se libra të tillë trajtohen si pronë e një rrethi të veçantë, apo si mallra të shitjes me pakicë, ashtu si aparatet televizive në kohën e diktaturës, që ishin të paktë, të shtrenjtë dhe me autorizime ndaheshin vetëm për njerëz të caktuar.
Gjithashtu mosbotimi herë pas here i librave me kaq shumë vlerë, derisa çdo familje shqiptare t’i ketë në bibliotekën e vet, ashtu siç mban Kuranin a Biblën, duket se nxitet edhe nga ndonjë një mendësi e tkurrur, që e bën njeriun të thotë se është më shqiptar se tjetri.
*Autori është gazetar i radio Zëri i Amerikës/ SHBA