Liria beson në mrekulli
Të mërkurën do të mësohen emrat e dy skuadrave finaliste të Kupës së Kosovës në futboll, pasi do të zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale mes Besës e Lirisë dhe Prishtinës e Gjilanit.
Besa aktualisht është një hap larg finales, pasi në ndeshjen e parë mposhti në Prizren Lirinë me rezultat minimal, 0:1. Pejanët besojnë se do ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit dhe kapitalin prej përballjes së parë për t’u kualifikuar në finale të këtij trofeu.
“Aq shumë jemi përqendruar për të depërtuar në finale të kupës, saqë humbëm në ndeshjen e fundit kampionale në shtëpi nga KEK-u. I gjithë klubi është i mobilizuar për t’u kualifikuar në finale. Besa është skuadër serioze dhe besoj se do ta menaxhojmë mirë avantazhin nga ndeshja e parë dhe ne do të kualifikohemi në finale”, deklaroi për Express futbollisti i pejanëve, Dukagjin Gashi.
Mirëpo, edhe Lira nuk do të shkojë e dorëzuar në Pejë pas humbjes së pësuar në ndeshjen e parë. Bardhezinjtë besojnë se kanë kapacitet për ta përmbysur disavantazhin nga përballja e parë me pejanët, për t’u kualifikuar sërish në finale të Kupës së Kosovës.
“Jemi në disavantazh nga ndeshja e parë. Por, kjo s’do të thotë që jemi pa gjasa. Do të sulmojmë që nga minuta e parë. Nuk kemi çka të presim. Synojmë të përmbysim rezultatin. Vetëm me lojë sulmuese mund të shkojmë drejt finales’, ka thënë kryetrajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali, për uebfaqe zyrtare të klubit bardh e zi.
Ndërkohë, në kryeqytet do të luhet ndeshja tjetër gjysmëfinale mes Prishtinës e Gjilanit.
Bardhekaltrit janë favoritë në letër për të kaluar në finale në duel me ekipin e Ligës së parë. Megjithatë, edhe gjilanasit kanë mundësi ta eliminojnë Prishtinën, pasi dueli i parë i tyre pati përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1.
Kupa e Kosovës
E mërkurë
Besa – Liria(1:0)
Prishtina – Gjilani(1:1)
Ndeshjet do të zhvillohen në orën 16:00