Obama dhe Lagarde, pastaj Monti dhe Rihana
Në pamje të parë duket si një listë e çuditshme. Një listë ku dallohet emri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama por nuk mungon edhe ai i sekretares së shtetit Hillari Klinton. Por nuk mungojnë edhe kandidatët për president siç është rasti i republikanit Mit Romeny. Personazhe të njohur të politikës botërore ku padyshim spikat edhe kryeministri i Izraelit Beniamin Netanjahu. Në të njëjtën kohë nuk mungojnë dhe këngëtaret e shquara si Rihana apo Adele krahas emrit të Drejtoreshës të Fondit monetar, Kristine Lagarde. Është lista e “100 personave më me influencë të botës” dhe nuk mungon padyshim edhe numri dhjetë i skuadrës së futbollit të Barcelonës, argjentinasi Lionel Messi. Ndërkaq ekziston edhe një listë tjetër e personazheve të cilësuar si “të këqinj” ku spikasin, Kim Yong, i Koresë së Veriut, mullah Omari dhe siriani Bashar Al Assad. Në këtë listë ajo që të bën më shumë përshtypje, krahas personazheve më të shquar të muzikës apo të futbollit, të presidentëve dhe kryeministrave më të shquar, është përzgjedhja e Drejtoreshës së Fondit Monetar Kristine Lagarde e pasuar kjo me dy emra të tjerë që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me financën botërore. Fill pas Lagarde vijnë emrat e Mario Dragit, presidentit të Bankës Qëndrore Europiane dhe ai i një tjetër italiani emri i Mario Montit, presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë. Duket se në këto emra janë bërë shumë të famshëm përgjatë krizës globale duke fituar një popullaritet të madh. Padyshim që Mario Monti është përzgjedhur sepse sipas shumë analistëve ishte ai dhe qeveria e tij që nëpërmjet reformave shpëtuan vendin fqinj të Italisë për daljen nga kriza. Si për të dëshmuar punën e mirë të presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë, fakti më i fundit ka qenë një “Dokument i ekonomisë dhe financës” i aprovuar nga Këshilli i Ministrave të Italisë, në të cilin theksohet se gjithsesi konjuktura ndërkombëtare mbetet ende e dobët por sidoqoftë Italia duhet të vazhdojë të ecë përpara. Natyrisht pas këtij aprovimi të kryer në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Italisë është pranuar në të njëjtën kohë se në vendin fqinj nuk do të ketë rritje ekonomike deri në vitin 2013. Gjithçka do të shihet në vitin e ardhshëm kur pritet që borxhi të arrijë në një pozicion prej 0,5% të GDP të Italisë. E pra ky personazh i përzgjedhur në listën e lartpërmendur, në një konferencë të tij për shtypin, fill pas përfundimit të mbledhjes të Këshillit të Ministrave të Italisë, ka pranuar se çmimi i krizës ka qenë shumë i lartë për Italinë dhe italianët duke ju referuar jetëve të humbura të personave të cilët për shkak të krizës nuk jetojnë më dhe që e kanë mbyllur jetën e tyre mes një dëshpërimi të thellë ekonomik. Sidoqoftë presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë e shpreh qartë se gjithsesi “është evituar një shock shkatërrimtar”. Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë ka folur ndërkaq edhe për “Programin kombëtar të reformës” por edhe për objektivat e qeverisë së tij e cilësuar prej atij vetë si “një qeveri jetëshkurtër por me detyra afatgjata”. Ka folur për një Itali të së ardhmes, për pasiguritë e tregjeve por edhe për sistemin politik dhe vetëreformimin e tij. “Duhet reforma e politikës dhe e qeverisjes së vendit. Për të vazhduar se - partitë nuk duhet të mendojnë që këto tema janë diçka e ndryshme dhe e ndarë nga temat e rritjes të besueshmërisë të vendit”. Gjithsesi presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti ka shtuar më tej se qeveria italiane kërkon evitimin e një “fati dramatik” si ai i Greqisë “me 1.725 vetevrasje”. Përzgjedhja e Mario Montit në listën e lartpërmendur ka të bëjë sipas të gjitha gjasave edhe me vlerësimet që Monti ka marrë përgjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në parlamentin Europian. Nuk kanë munguar padyshim edhe vlerësimet për punën e tij nga ministri i Financave të Gjermanisë, Shauble dhe Drejtoresha e Fondit Monetar, Kristine Lagarde të cilët kanë vlerësuar angazhimin e Italisë dhe reformat e saj për daljen nga kriza. Por vetë presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti është i vetëdijshëm që ka ende për të bërë. Kërkohet rritje ekonomike për të cilën qeveria e tij “punon çdo ditë, edhe pse nuk flasim për të, por është fjala më e lakuar që prej lindjes së kësaj qeverie”. I bën jehonë edhe zv/ministri i Ekonomisë, Vitorio Grilli sipas të cilit llogaritë publike të ristrukturuara me ekulibër janë garancia e vetme për Europën. “Është dëshmia që kemi arritur një nivel disipline që të bindë. Kemi dalë tërësisht nga kriza, gjithsesi kjo që po bëjmë është nisja e një operacioni që do të zgjasë për vite”.
...