Daul: Marrëveshja Berisha-Rama, një ëndërr
Kryetari i grupit të Partive Popullore të Parlamentit Europian, Joseph Daul, deklaroi 24 orë para vizitës së tij në Tiranë se arritja e një marrëveshjeje mes Berishës dhe Ramës mund të konsiderohet një “ëndërr e bukur” e një nate vere. Komedia shekspiriane, më shumë se një eufemizëm, është një tregues i rëndësishëm i mesazheve politikë që vijnë nga Europa. Gjatë një interviste për “BBC”-në, Daul komenton përpjekjen për marrëveshje mes Berishës dhe Ramës, procesin e vizave dhe letrën e kryesocialistit Edi Rama. Eurodeputeti Daul, i cili mbërrin sot në Shqipëri, e quan marrëveshjen mes dyshes Berisha-Rama një ëndërr të bukur dhe procesin e liberalizimit të vizave të shkëputur, nga fakti se në Shqipëri mungon një marrëveshje politike. Edhe pse nuk ka marrë fund makthi njëmujor i marrëveshjeve dhe negociatave të dështuara mes demokratëve dhe socialistëve në Shqipëri, Joseph Daul tregon se ende komuniteti ndërkombëtar nuk është tërhequr nga përpjekja për të negociuar. “Nëse përfaqësuesit e opozitës janë aty, unë do të takohem edhe me ta. Unë nuk kam ndonjë problem, nuk jam racist dhe diskutoj me cilindo. Kam diskutuar me zotin Rama kur ishim në Strasburg. Demokracia është e tillë, unë zakonisht diskutoj me njerëz të opozitës”, thotë Daul.
Negociatat“Më lini pak të ëndërroj. Sikur të gjenim një zgjidhje mes të djathtëve dhe socialistëve, do të kishte qenë shumë e bukur, por kjo më duket si një ëndërr”. Ky është konstatimi që eurodeputeti Joseph Daul percepton në një intervistë për “BBC”-në një ditë përpara mbërritjes në Tiranë. Edhe pse tregohet skeptik në zgjidhjen e krizës mes demokratëve dhe socialistëve, qëllimi apo “ëndrra” e vizitës së Daul në Tiranë është zgjidhja e krizës. Duke pranuar dështimin e përbashkët të tij me Martin Schulz për zgjidhjen e krizës politike, kreu i grupit të PPE-së, Joseph Daul, tregon se do të vazhdojë përpjekjet në raundin pasardhës. “Pati një grevë urie, opozita nuk ishte në Parlament, tani ajo është atje. Ne jemi përpjekur dhe shpresoj se do të vazhdojmë të negociojmë. Unë në këtë drejtim do të përpiqem”, thotë ai. “Mos kujtoni se kam ndonjë iluzion! Nuk pres që nesër të gjej zgjidhjen e situatës. Nuk është kështu. Mund të them se në turneun që po bëj në Ballkan, do të takohem edhe me zotin Berisha, të cilin e kam mik dhe për të diskutuar me të”, shton Daul. Ndërsa për Ramën, eurodeputeti Daul lëshon edhe një mesazh: “Ajo që kam për t’ju thënë udhëheqësve shqiptarë, edhe zotit Rama, është se në vend që të merremi me të shkuarën, le të merremi me të ardhmen. Pas katër vitesh do të ketë përsëri zgjedhje. Kjo është demokracia”.
VizatPyetjes nëse do të ketë ndikim çështja e vizave nga situata politike për Shqipërinë, eurodeputeti Daul e shikon atë të ndarë nga ajo çka po ndodh me politikën në Shqipëri. “Unë nuk mund t’ju them sot se cila do të jetë shumica e Parlamentit Europian për këtë çështje. Por sinqerisht mendoj se nuk do ta ndalim procesin e vizave, për arsye se nuk ka një marrëveshje politike në vend. Ne jemi përpjekur”, thotë ai. Kryetari i grupit të partive Popullore të Parlamentit Europian, Joseph Daul, si një prej ish-negociatorëve mes Berishës dhe Ramës, megjithëse specifikon se nuk ka ardhur në Tiranë për të gjetur një zgjidhje, shton gjithashtu se “duhet mbajtur parasysh se udhëheqësit kanë idetë e tyre dhe duhet respektuar loja politike. është gjithashtu pjesë e demokracisë që të mos gjesh një zgjidhje ashtu siç ne, unë dhe Martin Schultz, do ta donim”. Eurodeputeti Daul thotë se “lidhur me Shqipërinë, kjo nuk përbën një çështje për Europën. Nuk ka një çështje, thjesht do të ketë një rezolutë për Shqipërinë, siç do ketë edhe për Maqedoninë dhe siç ka pasur për të gjitha vendet çdo vit”.
#