PD, lobim agresiv në Parlamentin Europian për amendamentet e Chountis
Përfaqësues të mazhorancës lobuan prej ditësh në Bruksel, në mënyrë që sot Parlamenti Europian të miratojë rezolutën e eurodeputetit Nikolaos Chountis për integrimin e Shqipërisë në BE. Komiteti i Jashtëm Europarlamentar vendosi gjatë pasdites së djeshme që të votojë mëngjesin e sotëm rezolutën, e cila rreth një muaj më parë u shty për t’u shqyrtuar në një kohë të dytë. Deri në mesditën e djeshme ishte deklaruar se një gjë e tillë mund të shtyhej sërish. Në emër të grupimit të majtë, Kristian Vigenin tha se ka ende një marrëveshje në Shqipëri, ndaj për t'i ardhur në ndihmë dhe vizitës së shefit të PPE-së, Joseph Daul, i cili po takon Kryeministrin Berisha e faktorë të tjerë politikë në Tiranë gjatë kësaj jave, Parlamenti Europian duhet ta shtynte rezolutën mbi Shqipërinë, për të ndihmuar kështu në gjetjen e zgjidhjes. Por sipas eurodeputetes së djathtë, Doris Pack, “kjo rezolutë u shty një herë dhe ajo çfarë pret tani Parlamenti Europian nga qeveria është që të bashkëpunojë me opozitën mbi një ligj të ri elektoral për zgjedhjet e ardhshme, se të kaluarat shkuan tashmë". Por ndryshe nga Partitë Popullore Europiane, liberalët, të gjelbrit dhe blloku i deputetëve pa grupim politik, u pozicionuan përkrah socialdemokratëve europianë. Fjala e raportuesit për Shqipërinë, Chountis, i cili bëri thirrje për të votuar rezolutën, ndryshoi në moment të fundit qëndrimin e të gjelbërve dhe ekstremistëve të majtë. Kjo mundi të sigurojë shumicën për të votuar rezolutën mbi integrimin europian të Shqipërisë mëngjesin e së mërkurës, siç parashikon axhenda e Parlamentit. Për marrjen e këtij vendimi mund të ketë ndikuar dhe lobimi i përfaqësuesve të mazhorancës shqiptare, të cilët takuan në mënyrë jozyrtare raportuesin për Shqipërinë, Chountis, si dhe eurodeputetë të grupimeve të ndryshme politike në ambientet e Parlamentit Europian. "Po, e takova zonjën Bregu dhe ajo më informoi mbi situatën aktuale në Parlament. Diskutuam sigurisht dhe mbi rezolutën, sepse për Shqipërinë ishte shumë e rëndësishme kjo. I tregova se cilat ishin pozicionet e grupimeve të ndryshme politike dhe se gjatë pasdites do të vendosnim nëse do ta votonim ose jo këtë rezolutë ndoshta nesër. Sa herë ka një rezolutë ndaj një vendi, gjithmonë përfaqësuesit e këtij vendi tentojnë të lobojnë tek eurodeputetët duke treguar pikëpamjet e tyre. është një proces normal dhe Shqipëria po bën të njëjtën gjë", tha Libor Roucek. Për rezolutën ndaj Shqipërisë janë propozuar 114 amendamente, në të cilat vërehet qartë mbështetja politike e grupeve përkatëse politike në Parlamentin Europian.
#