E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria e shtypit, Shqipëria humbet 9 vende krahasuar me 2008-n

21/10/2009  “Reporterët pa kufij” publikon raportin e përvitshëm, lista kryesohet nga nordikët

Vendi ynë renditet i 88-i, i fundit në Ballkan; Kosova e 75-a

Shqipëria zë vendin e fundit në listën e vendeve të Ballkanit për sa i takon lirisë së shtypit. Raporti i përvitshëm i “Reporterëve pa kufij”, i publikuar dje, e rendit vendin tonë 9 vende prapa vendit që zinte në raportin e vitit 2008. Në këtë mënyrë, ndërsa Shqipëria është në vendin e 88-të, nga 175 vendet pjesëmarrëse, në vitin e kaluar ajo ishte në vendin e 79-të. Para saj në listë janë Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, madje është Kosova, e cila fitoi pavarësinë e saj në shkurt të 2008-s. Në këtë mënyrë, liria e shtypit në Shqipëri, në vend që të ecte përpara, ka bërë regres. “Gazetaria hetimore mbetet në fazën embrionale dhe lufton për të gjetur hapësirë në një shtyp që i përket ose grupeve industriale të vendosur për të mbrojtur fushat e tyre të ndikimit, ose partive politike, që shumë shpesh ngatërrojnë lajmet me propagandën”, - thuhet në raport. Në mënyrë të veçantë në raport përmendet edhe kontrolli i qeverisë dhe emërimet politike. “Kontrolli i qeverisë mbi mediet publike është i gjithëpranishëm. Në pozicionin e menaxhimit të medies janë emërime politike, që sigurojnë një linjë të favorshëm editoriale”, - vijohet në raport. Po ashtu raporti shton se mbi medien qeveria ushtron presion duke përdorur taksat, heqjen e reklamave, çka çon dhe në një “vetëcensurim” të një numri të madh mediesh. Në raport thuhet se, edhe pse disa medie janë të financuara privatisht, ato nuk janë të mbrojtura nga një sërë formash presioni. “Faturat e tepërta për shërbime publike, tërheqja e reklamës, ndryshimet e taksave janë armët ‘ligjore’ të përdorura për të promovuar vetëcensurën, e cila është tashmë e dukshme në një numër të madh të medieve”, - vijon raporti. Gjithashtu përmend si dy raste flagrante të presionit të qeverisë ndaj medies gjobën ndaj “NEWS 24” për transmetimin e reklamës së “G-99” si dhe nxjerrjen jashtë nga godina të redaksisë së gazetës “Tema”. Raporti vëren gjithashtu se 18 vjet pas rënies së komunizmit anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u përshëndet nga e gjithë media dhe klasa politike, sidomos nga partia e kryeministrit Berisha. Ky hap u duk si një “mrekulli e lirisë”, për të cilën media e pavarur ishte e etur për ta gëzuar. Por vitaliti dhe rritja në sektorin e medies jo gjithmonë siguron lindjen e pluralizmit të vërtetë të lajmeve dhe informacionit. Për sa u takon vendeve që kanë lirinë më të madhe të shtypit, raporti përmend vendet nordike dhe ka vendosur në krye të listës Danimarkën, më pas Finlandën, Irlandën dhe Norvegjinë. Raporti përmend me shqetësim edhe lirinë e shtypit në disa vende evropiane me demokraci të përparuar, siç e tregon pozicioni i Francës në vendin e 43-të, i Sllovakisë në të 44-in dhe Italisë në vendin e 49-të. Ndërsa gazetarët në Itali janë psikologjikisht të kërcënuar, për Kroacinë në raport përmendet vrasja e pronarit të një përjavshmeje kombëtare më 23 tetor të vitit 2008.

Liria e medies në rajon

Maqedonia renditet në vendin e 55-të, e shoqëruar nga Serbia, Kosova në vendin e 75-të dhe Mali i Zi në vendin e 77-të. Ndërkohë që Greqia dhe Italia janë shumë para në renditje. Greqia renditet e 34-a, ndërsa Italia e 49-a dhe SHBA-të renditen në vendin e 22-të në botë për sa i takon lirisë së shtypit. Në raportin e “Reporterëve pa kufij” Shqipëria, me një koeficient 21.75, lë pas vende si Senegali, Ukraina, Mongolia, Guineja, Qatari etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›