E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja nga nafta, 9 mijë banorë të rrezikuar

21/10/2009  Zharrëz, toka bujqësore është jashtë përdorimit, prodhime të pakta

“Kemi frikë të jetojmë këtu, pasi niveli i ndotjes është alarmant”

FIER- Janë rreth 9000 banorë të komunës Zharrëz në rrethin e Fierit, të cilët janë të rrezikuar nga niveli i lartë i ndotjes së mjedisit dhe ndotjes së tokës bujqësore për shkak të aktivitetit të 600 puseve të naftës. Sipas banorëve, jeta e tyre është bërë akoma edhe më e vështirë dhe ndotja ka arritur nivelet më të larta, por rrezikojnë jo vetëm jetën e tyre, por deri edhe të foshnjave që sapo vijnë në jetë. Banorët shprehen se me gjithë protestat dhe ankesat e tyre të shumta situata jo vetëm nuk ka ndryshuar, por edhe ka pasur dëmtime të rënda të tokave të tyre bujqësore dhe ende nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim. “ALBEPTROLI me sistemin e tij të pastrimit pothuajse nuk funksionon, ndotjet e puseve të naftës bëhen jashtë. Tani në stinën e dimrit, era e gazit dhe e naftës bëhet edhe më e padurueshme që na helmon fare. Tokat bujqësore janë të ndotura dhe të përmbytura nga nafta. Jemi ankuar kudo dhe asnjë dëmshpërblim nuk kemi marrë. Tokat dhe kanalet janë vetëm serë, jetojmë si mos më keq. Më keq na vjen për fëmijët se ata nuk kanë kusuret tona. Ne paguajmë tatim kot. Mbjellim dhe nuk korrim gjë. Mbahemi vetëm me pensionet dhe lekët që na dërgojnë refugjatët”, thonë banorët. Jeta në këtë zonë është bërë edhe më e vështirë për këta banorë, të cilët pohojnë se jeta e tyre nuk mund të përballohej nëse nuk do të ishte emigracioni. Shqetësimin e tyre e mbështet edhe kreu i komunës Zharrëz Tauland Grëmi, i cili u ka kërkuar autoriteteve të Albpetrolit të marrin masa për zbutjen e ndotjes së zonës nga nafta. Ai ka përcjellë ankesat e banorëve dhe në prefekturë. Për këtë është bërë edhe një studim nga kompania holandeze dhe e ka nxjerrë këtë zonë nga rezultatet e saj si një zonë problematike. “Për sa i përket tokës bujqësore ajo është tejet e ndotur. Ne kemi një studim të bërë nga një kompani e huaj holandeze e Bankës Botërore dhe kemi disa të dhëna ku parametrat e ndotjes janë evidente. Është e vërtetë që produktet e nxjerra nga nafta janë të rëndësishme, por edhe jeta e qytetarëve tanë qëndron më lart”, thotë Grëmi. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›