E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria fundos Gjilanin

Liria, me trajneri e ri Skënder Krapa, ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë përballë skuadrës së Gjilanit, që tashmë është shumë pranë rënies në një rang më poshtë të garave.

Prizrenasit, të vetëdijshëm për pozitën e tyre të palakmueshme në tabelë, lojën e filluan me një entuziazëm të madh dhe qysh në minutën e 2-të kaluan në epërsi me golin e Ramadan Kryeziut.

Skuadra vendëse, edhe pse ishte në avantazh, nuk pushoi së sulmuari dhe në minutën e 18-të e shtoi epërsinë në 2-0, me golin e shënuar nga qendërmbrojtësi Erdogan Brando. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Gjilani shumë shpejt arriti që ta zvogëlojë epërsinë në 2-1, kur nga pika e bardhë shënoi sulmuesi Ismet Ramushi (49). Por, kjo ishte e gjitha nga skuadra mysafire, pasi në minutën e 64-t shpresat për një rezultat pozitiv ua shoi Alsid Tafili, i cili shënoi nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 3-1.

Pas këtij takimi, Liria është ngritur në pozitën e shtatë me 35 pikë, por që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar se Drenica dhe Lepenci, ndërsa Gjilani ka mbetur në vendin e fundit me 23 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›