E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH – KKSH, strategji për shëndetin e grave dhe fëmijëve në zonat verilindore



Gjendja shëndetësore dhe kushtet e vështira të jetesës nga varfëria e madhe që ka kapur zonat verilindore të vendit, ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të hartojë një strategji. Ky projekt zbatohet nga Kryqi i Kuq Shqiptar, me asistencë teknike të Kryqit të Kuq Amerikan, në zbatim të strategjisë së Ministrisë së Shëndetësisë për Menaxhimin e Integruar të Sëmundjeve të Fëmijërisë. Gazment Bejtja, Drejtori i ISHP-së në Ministrinë e Shëndetësisë sqaron se projekti është duke u zbatuar në tre rrethet e Qarkut të Dibrës, Bulqizë, Dibër dhe Mat, të cilat janë zonat malore rurale më të varfra të Shqipërisë verilindore. Ai u shpreh se është arritur krijimi i një modeli për shpërndarjen e shërbimeve shëndetësore me bazë komunitare në këto zona. Ministria e Shëndetësisë kërkon që sistemi shëndetësor të ketë një përhapje të gjerë edhe në zonat e thella malore, ku është e vështirë që qytetarët të lëvizin vazhdimisht drejt spitaleve qendrore.

Përgatiten policët bregdetar, pushuesit të sigurt

Policia bregdetare ka përfunduar trajnime të veçanta teorike-praktike për t’u ardhur në ndihmë pushuesve gjatë sezonit turistik. Kështu, 125 punonjës të policisë bregdetare, kanë përfunduar përgatitjet për sigurimin e vijës kufitare dhe mbështetjen e sezonit turistik veror nga Shëngjini deri në Seman.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit (DRKE) në Durrës, komisar Naim Manuka, u shpreh se kurset teorike 4 ditore janë zhvilluar në mjediset e kësaj drejtorie nën drejtimin e specialistëve të kufirit në drejtorinë e përgjithshme përkatëse, të shoqëruara me aftësimin praktik në luftë ndaj trafiqeve të paligjshme dhe ndihmën për mjetet dhe personat që rrezikohen të mbyten në det. Qëllimi kryesor i kurseve ishte perfeksionimi i koordinimit të veprimeve të sektorëve të ndryshëm brenda “DRKE” në Durrës, si dhe bashkëpunimi me drejtorinë përkatëse në Vlorë, si dhe efektivat e drejtorive të policisë në qarqet bregdetare nga Shkodra në Vlorë. Në plazhet e vendit është bërë dhe shpërndarja e mjeteve motorike që do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë sezonit të plazhit. Kështu, 2 gomone të policisë kufitare do të vendosen në Spille dhe Divjakë, si dhe 2 motoskafe në Durrës dhe Shëngjin. Stacionet e policisë janë pajisur me automjete dhe katër ciklomotorë, ndërsa në Shëngjin është siguruar edhe një fugon. Autoriteti portal, policia kufitare, dogana dhe kapitaneria, kanë marrë masa për të lehtësuar edhe më tej kalimin në pikën kufitare.

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›