Ndoka: Kontroll çdo ditë për higjienën hoteleve dhe restoranteve
Emanuela Sako
Urdhri më i fundit i ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, lë 24 orë në punë të gjitha qendrat shëndetësore në zonat turistike. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për kontrollin e përditshëm të hoteleve, restoranteve dhe ujit të pijshëm për të shmangur sëmundje të ndryshme që rrezikojnë pushuesit gjatë pushimeve të nxehta të verës. Kështu, Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, ka firmosur dje një urdhër, nëpërmjet të cilit ka ngarkuar Drejtoritë e Shëndetit Publik për sigurimin e shërbimit shëndetësor 24-orësh për të gjithë pushuesit në zonat turistike të vendit. Duke u nisur edhe nga eksperienca e vitit të shkuar, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar gjithë infrastrukturën e nevojshme për përballimin e nevojave në ato zona ku ka më shumë pushuesish. Ministri Ndoka ka kërkuar që drejtoritë e shëndetit publik të jenë në gatishmëri të plotë për të trajtuar çdo rast që ka nevojë për shërbim shëndetësor dhe njëkohësisht qendrat do të furnizohen me medikamente dhe materiale mjekimi për rastet emergjente.
Urdhri
Masat që parashikon urdhri i nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë synojnë një kontroll të plotë të kushteve higjienë-sanitare që ndodhen në që ndodhen në mjediset e pushuesve. Por ajo çka është e rëndësishme dhe e re në këtë nismë është ndërhyrja që do të bëjë Ministria edhe për verifikim e kushteve në hotele apo kontrollin e përditshëm të ujit të pijshëm. Me këto masa ministria synon që të mos bjerë ndonjë epidemi, pasi stina e nxehtë e verës është nxitëse e tyre. Do të bëhet dezinfektimin, desinsektimin dhe deratizimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të të gjithë territoreve të zonave turistike.
Gjithçka do të bëhet në bashkëpunim me inspektoratin e mjedisit dhe autoritetet e pushtetit vendor. Shumë problematike gjatë gjithë sezoneve të shkuara verore ka qenë heqja e plehrave që hidhen sa andej-këndej. Për këtë sezon do të merren masa për grumbullimin, largimin e përpunimin e mbeturinave urbane si dhe ujërave të zeza nga gropat septike.
Masat
Për të gjitha shkeljet dhe mangësitë që konstatohen, Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe Epidemiologjik, do të vihen në zbatim penalizimet për subjektet që nuk zbatojnë rregulloren. Çdo datë 30 të muajit, për veprimtarinë e kryer, problemet dhe masat e marra, të dërgohet informacion me shkrim në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Ministri të Shëndetësisë si dhe të informohen organet e qeverisjes vendore.
Urdhri
Të organizohet shërbim 24 orësh në qendrat shëndetësore në të gjitha zonat turistike të vendit, veçanërisht në ato zona ku numri i pushuesve gjatë sezonit të verës është i madh.
Të furnizohen me medikamente dhe materiale mjekimi të ndihmës së shpejtë mjekësore të gjithë qendrat shëndetësore dhe urgjencat mjekësore.
Të sigurohet gatishmëria për transportin mjekësor me autoambulancë për të sëmurët që kanë nevojë për këtë shërbim.
Të fuqizohen kontrollet higjeno - sanitare dhe epidemiologjike në zonat turistike, për parandalimin e shfaqjes së shpërthimeve, në drejtimet e mëposhtme:
Kontrollin e përditshëm të ujit të pijshëm , dezinfektimin dhe marrjen e analizave për treguesit fiziko - kimik e mikrobiologjik duke bërë matjen e klorit dy herë në ditë.
Kontrollin e hoteleve, restoranteve dhe pikave të tregtimit të produkteve ushqimore, për zbatimin e rregullave të përgjithshme të higjienës dhe veçanërisht në zbatimin e normave për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore.
Kontrollin e masave të marra për dezinfektimin, desinsektimin dhe deratizimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të të gjithë territoreve të zonave turistike.
Në bashkëpunim me inspektoratin e mjedisit dhe autoritetet e pushtetit vendor, të ushtrohen kontrolle higjienë–sanitare për gjendjen e mjedisit e veçanërisht për grumbullimin, largimin e përpunimin e mbeturinave urbane si dhe ujërave të zeza nga gropat septike.
10 Maj 2008