E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punës: “Më shumë kushte për personat me aftësi të kufizuara”



Personat me aftësi të kufizuara kanë nevojë për një jetë me sa më pak pengesa. Raporti i Monitorimit për vitin 2007, i Ministrisë së Punës, nxjerr në pah nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe të vazhdueshme në implementimin e politikave që garantojnë integrimin e tyre në jetën shoqërore. Sipas drejtores së Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta Anna Xheka, sigurimi i jetesës pa pengesa për PAK, duke hequr gradualisht pengesat ekzistuese arkitektonike, urbanistike të transportit dhe nëpërmjet parandalimit të shfaqjeve të pengesave të reja, rezulton të jetë garantuar në një masë shumë të ulët. Detyrimi i ndërtimit të një mjedisi të përshtatur e pa barriera ndërtimore për këtë kategori shoqërore është sanksionuar në “Rregulloren e Urbanistikës” me Vendim nr.4 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës që 2003 dhe me VKM nr. 401, dt. 25 Qershor 2004. Megjithatë, Raporti evidenton se institucionet që japin lejet e ndërtimit apo të rikonstruksionit të banesave ekzistuese e kanë marrë shumë pak në konsideratë këtë detyrim. Kështu, sipas Raportit vetëm në 6 banesa të reja me 224 apartamente që po ndërtohen nga Enti Kombëtar i Banesave në qytetet Korçë, Elbasan, Durrës, Shkodër dhe Kavajë, janë respektuar elementët e nevojshëm arkitektonikë, si panduse dhe ashensorë, të cilët lehtësojnë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara. Në Bashkinë e Tiranës, janë marrë disa masa për vendosjen e elementëve të përshtatshmërisë në ambientet publike. Një pjesë e mirë e trotuareve kanë elementë të përshtatur.
Sigurimi i një mjedisi pa barriera është një ndër kushtet kryesore të garantimit të integrimit në jetën shoqërore të personave me aftësi të kufizuara. Këshillat e rregullimit të territorit, strukturat që kanë atributin e dhënies së lejeve të ndërtimit apo rikonstruksionit të banesave ekzistuese janë filtrat të cilët kanë kompetencën dhe përgjegjshmërinë e garantimit të kësaj të drejte. J.Tashi

Ditën e hënë, nis Java Olimpike në arsimin parauniversitar
Çdo shkollë, duke filluar nga java e ardhshme e deri në përfundim të vitit shkollor duhet të organizojë Javën Olimpike, me pjesëmarrjen e gjithë nxënësve të arsimit parauniversitar. Të gjitha Drejtorive Arsimore iu shpërnda dje, nga Ministria e Arsimit ”Paketa Olimpike” me programin e Javës, broshurat informuese dhe posterat përkatës. Java Olimpike prezanton në vetvete një model tipik kroskurrikular, me një përfshirje të të gjitha lëndëve të programit të shkollës, si dhe e përgatitur për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ajo i ofrohet shkollave për zbatim nëpërmjet një pakete didaktiko-informative të quajtur ”Paketa Olimpike”. Kjo paketë është përgatitur nga Akademia e Lojërave Olimpike në bashkëpunim me MASH sipas modeleve më të spikatura botërore të këtij lloji, si ajo Amerikane, Kanadeze dhe në veçanti modeli Gjerman ,i cili përbën dhe bazën e vërtetë në të cilën janë mbështetur konceptet dhe përmbajtja e programit, gjithashtu dhe rekomandimet metodologjike për zbatim.

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›