E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja në klasë, nisin kontrolle nëpër shkolla



FIER - Ngjarja e para tri ditësh në shkollën 9- vjeçare nw Zhupan, ku një 13-vjeçare plagosi me pistoletë bashkëmoshataren e saj, është bërë shkas për nisjen e kontrolleve nëpër mjediset arsimore të këtij rrethi në mënyrë që të parandalohen aktet e dhunës. Kreu i Drejtorisë Rajonale Arsimore, Tahir Kastrati i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut të ushtrojë më shumë kontrolle në ambientet shkollore. Sipas kreut të Drejtorisë Arsimore, prezenca e uniformave blu në shkolla, do të rrisë më shumë garancinë dhe sigurinë e nxënësve dhe personelit mësimor. Pas plagosjes së ndodhur, drejtuesit e DAR bënë kontrolle për të parë kushtet e sigurisë.

Pretenca, "burg të përjetshëm" për vrasësin e familjes së vëllait

BERAT – Organi i Akuzës ka kërkuar “burg për jetë” për Luan Marën, i cili akuzohet për vrasjen e vëllait, gruas shtatzënë dhe djalit, por kjo ka shkaktuar kundërshtim nga pala mbrojtëse dhe të afërmit e të pandehurit. Dje u zhvillua seanca e parafundit, ku prokurori i çështjes, Artjan Bejo, i kërkoi trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nazmi Troka, Bernina Kondi dhe Agron Vavla, dënimin maksimal. Akuza deklaroi fajtor Marën për vrasjen e ndodhur më datë 10 shkurt 2006, në fshatin Kozare, ku nga një breshëri kallashnikovi brenda shtëpisë së tyre, gjetën vdekjen Shpëtimi Mara, 35 vjeç, gruaja e tij shtatzënë Florija dhe djali i tyre Artioli, 2 vjeç. Ata u gjetën të vdekur në kuzhinën e shtëpisë së tyre dhe vetëm në tetor të vitit 2006, policia ndaloi autorin e dyshuar të vrasjes, vëllain e viktimës, Luan Mara. Familjarët dhe të afërmit e të pandehurit Luan Mara kanë protestuar në sallën e gjyqit, duke penguar zhvillimin e mëtejshëm të tij, gjë që ka detyruar trupin gjykues të kërkojë nxjerrjen e tyre jashtë sallës së gjyqit. Por protesta e familjarëve ka vazhduar jashtë ambienteve të gjykatës. Avokati Dilaver Bengasi, pas përfundimit të seancës së djeshme gjyqësore, ka pohuar se "pretenca e prokurorit është komplet ekstra-procedurale, pasi çdo gjë që tha është haptas e paligjshme. Bengasi pohoi se në seancën e mbrojtjes që do të zhvillohet pas dy javësh do të sjellë prova që provojnë pafajësinë e klientit të tij. Tashmë pritet të përfundojë procesi i vrasjes së katërfishtë, e njohur ndryshe si tragjedia e Kozarës, ndonëse gjatë procesit gjyqësor kanë dalë shumë të papritura, duke e shtyrë dhënien e vendit për më shumë se 1 vit

Eneida Petova

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›