Lirimi i Delijorgjit gjykata rrëzon prokurorinë
TIRANE- Gjykata e Lartë "rrëzon" prokurorinë për lirimin e Mihal Delijorgjit dhe Ylli Pinarit, të akuzuar për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec. Organi i akuzës kishte kundërshtuar lirimin e të pandehurve, biznesmenit Delijorgji, ish-kreut të MEICO-s, Pinari si dhe Sokol Ngjeçit, duke tentuar për herë të fundit rikthimin e tyre në qelitë e paraburgimit. Dje Gjykata e Lartë shprehu verdiktin e saj, duke e cilësuar të drejtë lirimin nga burgu dhe dërgimin në arrest shtëpie të tre të akuzuarve të procesit "Gërdeci". Për Kolegjin Penal të kryesuar nga Shpresa Beçaj, njëkohësisht dhe relatore e çështjes e kryetare e gjykatës, nuk ka asnjë dyshim që afatet e paraburgimit për tre të pandehurit kanë përfunduar, për pasojë masa e sigurisë ndaj tyre e ka humbur efektin. Ky vendim i Gjykatës së Lartë u jep fund përpjekjeve të prokurorisë, që tentoi me çdo kusht të riburgoste tre të pandehurit. Në këto kushte, Delijorgji, Pinari dhe Ngjeci do të vazhdojnë të gjykohen nën masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Verdikti
Debatet e shumta mes anëtarëve të Kolegjit Penal u bënë shkak që vendimi për fatin e Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjecit të shtyhej për pesë ditë, derisa paraditen e djeshme iu dha fund çdo dyshimi. Tre të pandehurit e superprocesit Gërdeci do të vazhdojnë të shijojnë ditët e tyre në liri, edhe pse në arrest shtëpie, por natyrisht jashtë hekurave të burgut të paktën deri në një vendim të drejtësisë. Kolegji Penal vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, që liroi tre të pandehurit nga qelitë duke i dërguar në arrest shtëpie. Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, afatet e paraburgimit për të pandehurit kanë nisur prej ditës kur dosja u dorëzua pranë kësaj gjykate, konkretisht datë 13 mars 2009, kohë në të cilën cilësinë e të pandehurit e mbante ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, jo sikurse pretendonte prokuroria, sipas së cilës afatet kishin nisur që ditën kur dosja ishte dorëzuar për gjykim në gjykatën e Tiranës, konkretisht në qershor 2009. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë matematikore, Kolegji penal doli në përfundimin se afati 12-mujor, brenda të cilit gjykata duhet të ishte shprehur me një vendim për të pandehurit e dosjes "Gërdeci", kishte përfunduar, ndaj kërkesa e prokurorisë për prishjen e vendimeve të dy shkallëve më të ulëta të gjyqësorit dhe rikthimin në burg të të akuzuarve ishte e pabazuar në ligj. Tre të pandehurit, Delijorgji, Pinari dhe Ngjeci akuzohen si përgjegjës për tragjedinë e rëndë në bashkëpunim me 26 persona të tjerë, mes të cilëve, krerët më të lartë të ushtrisë shqiptare dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Në Gërdec, nga shpërthimi i fabrikës së demontimit gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.
(Gazeta shqiptare/balkanWeb)