E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet pa incidente procesi i votimit në Durrës

Pjesëmarrja e njëjtë me zgjedhjet e vitit 2007. Probleme të vogla vetëm në komuna

DURRËS Është mbyllur pa probleme procesi i votimit në qarkun e Durrësit. Rreth orës 19:00 janë mbyllur pothuajse të gjitha qendrat e votimit, ndërkohë që në ato qendra që ka pasur votues në radhë, komisionet e qendrave të votimit kanë lejuar që të votojnë të gjithë personat. Dje janë thirrur për të votuar në rang qarku 308 mijë zgjedhës, për 6 bashki dhe 10 komuna. Bashkia më e madhe e qarkut, ajo e Durrësit, ka pasur 165 qendra votimi me 152 205 zgjedhës në total. Burime nga KZAZ nr. 8, e cila administron materialet e votimit për bashkinë më të madhe, kanë bërë të ditur se përqindja e pjesëmarrjes në votime për këtë bashki shkon në rreth 40 për qind, shifër kjo e përafërt me atë të zgjedhjeve vendore të vitit 2007. E vetmja qendër votimi që ka pasur radhë pas orës 19, ka qenë qendra me numër 1453, që ndodhej te kopshti i riaftësimit. Në këtë qendër ka pasur edhe rreth 100 votues që nuk kishin votuar, deri në orën 19:00 dhe pas debatesh mes komisionerëve, ata kanë votuar të gjithë duke mbaruar në orën 20:00. Sipas burimeve nga kjo qendër votimi, e cila ka pasur të regjistruar 1060 zgjedhës, në përfundim të procesit votuan 670 vetë. Në total mendohet se kanë votuar rreth 58 mijë votues për Bashkinë e Durrësit.

Problemet në rang qarku

Votimi nuk ka filluar në të njëjtën kohë, sipas orarit të përcaktuar në kod. Në shumë qendra, votimi filloi me vonesë për arsye të ndryshme. Fillimisht në tre qendrat e votimit pranë Pallatit të Kulturës, nisja e votimit filloi rreth orës 08:00, pasi materiale propagandistike të të dy kandidatëve Xhaferraj dhe Dako, ishin më afër se 150 metra nga këto qendra. U desh ndërhyrja e të dy kampeve që të largohej autobusi me materialet propagandistike të kandidatit Vangjush Dako, si dhe posterat e vendosura nga shtabi i PD-së, në lidhje me premtimet e pambajtura të Dakos. Me vonesë ka nisur votimi edhe në qendrën e votimit nr. 1484 në lagjen nr. 7. Komisioni i votimit ka konstatuar në orën 07:00 se emri i nënkryetarit të kësaj qendre të votimit nuk korrespondonte me atë që kishte marrë në dorëzim bazën materiale nga KZAZ nr. 8 një natë më parë. Për këtë arsye, votimi ka filluar rreth orës 10:30, ndërsa KZAZ ka sjellë emrin e saktë të nënkryetarit. Një tjetër problem është regjistruar në fshatin Armathe të Bashkisë së Manzës. Në qendrën nr. 1352, që përfshinte 841 votues të këtij fshati, komisioni i votimit ka konstatuar në mëngjes, kur janë hapur materialet e votimit, se mungonin 509 fletë votimi, aty ku votohej për kandidatët Bujar Huqi (PD) dhe Sokol Sula (PS). Është zhvilluar shumë debat, nëse kjo qendër votimi duhej të niste apo jo nga puna, derisa KZAZ nr. 9 ka dërguar një shkresë për nisjen e votimit me atë gjendje fletësh votimi. Gjithsesi, nisja e votimit është bërë me votim 4 me 3, ku tre anëtarët e majtë në këtë qendër votimi kanë qenë kundër nisjes së procesit. Bashkim Bici, kryetar i qendrës së votimit nr. 1352, është shprehur se “ne morëm vendimin për të filluar procesi dhe po presim ardhjen e fletëve që mungojnë. Nuk e dimë se ku është bërë ngatërresa, por lokali ku kemi sjellë bazën materiale ka qenë i mbyllur dhe këtu nuk është hapur asgjë, ngatërresa mund të jetë bërë në KZAZ”. Nënkryetari i kësaj qendre, Frrok Doda u shpreh se “ne si anëtarë të majtë votuam kundër nisjes së procesit, sepse nuk kemi gjendje as gjysmën e fletëve të votimit që janë për kandidatët”.

Në Durrës, përballja është mes kryetarit aktual Vangjush Dako, i cili kandidon për një mandat të dytë dhe ish-ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, i vlerësuar nga demokratët si një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar.

Me sloganin “E vetmja rrugë për Durrësin”, Dako kërkon të vazhdojë projektet e filluara, ndërsa Xhaferraj me sloganin “Durrësi meriton më shumë” premton kthimin e qytetit në një nga qendrat e turizmit rajonal.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›