Vlorë, PS-LSI përleshje në qendrën e numërimit të votave
Numërimi i votave ka nisur pas orës 1:00 të mesnatës. Simpatizantët e PS përplasen me ata të LSI-së. Gjika-Kollozi, akuza të ndërsjella për manipulime
Përleshje në një qendër të numërimit të votave në Vlorë. Rreth orës 1 të natës, ka pasur tensione në KZAZ-në e Vlorës, ku përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë përplasur me komisionerët e Partisë Socialiste. Incidenti ka ndodhur pas mesnate dhe në të është përfshirë edhe Ndriçim Selami, një ndër krerët e LSI-së për Vlorën. Është dashur ndërhyrja e forcave të shumta të policisë, për të qetësuar situatën. Menjëherë pas këtij incidenti, me vendosjen e qetësisë në Vlorë ka nisur numërimi. Përveç këtij fakti, në qytetin e Vlorës është mbyllur me vonesë procesi i votimit në dy qendra të tij. Bëhet fjalë për qendrat 44 dhe 36, për të cilat votimi ka mbaruar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që pas mesnate ka nisur numërimi i votave për disa zona. Dy rivalët për Bashkinë e Vlorës, Shpëtim Gjika dhe Ardian Kollozi, pasi kanë votuar kanë bërë akuza të ndërsjellta për manipulime. Të dy rivalët, pas votimit u kanë bërë thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në votime, ndërsa kanë akuzuar njëri-tjetrin për tentativa manipulimi të votës. “Jemi duke ndjekur me intensitet se si po zhvillohet procesi i votimit. Po kontribuojmë që ai të jetë i qetë, i qartë dhe i barabartë. Pavarësisht përpjekjeve të kryetarit të bashkisë në ikje, ai që shikoj është përkushtimi i banorëve të Vlorës për të shkuar masivisht në votime”, - tha kandidati i djathtë, Ardian Kollozi. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Vlorës të marrin pjesë masivisht nëpër votime, sepse vetëm kështu shprehin në mënyrë të qetë vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Ne garantojmë fshehtësinë e votës dhe numërimin transparent të saj”, - tha kandidati i majtë, Shpëtim Gjika. Shkak për këto akuza të ndërsjellta është bërë ndërprerja e votimit në dy prej qendrave të vendosura në shkollën e muzikës “Naim Frashëri” në qytet, për shkak se votuesit janë ankuar se nuk kanë privatësi. Të dyja qendrat ishin vendosur në të njëjtin ambient dhe kjo ka sjellë pakënaqësi të reflektuar më pas edhe te komisionerët. Pas mbërritjes së kreut të KZAZ nr.61, Edmond Banushi dhe nënkryetarit Agron Gjipali, njëra nga qendrat është transferuar në një prej klasave të shkollës dhe më pas procesi i votimit ka rivijuar. Ndërkohë, kreu aktual i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika është paraqitur te shkolla “Marigo Pozio”, ku votues kanë njoftuar se aty ishin vendosur përfaqësues të strukturave të PD-së me lista në duar. Votuesit kanë njoftuar se ka pasur tension dhe presion, ndërkohë që Gjika u ka kërkuar përfaqësuesve të PD-së të largohen nga qendra e votimit. Fillimisht janë mbledhur militantë të të dyja palëve, por më pas ata janë larguar pa shkaktuar probleme. Kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Shpëtim Gjika ka shkuar të votojë në qendrën e votimit pranë shkollës “Ali Demi”. Gjika ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Adi, së bashku me babanë dhe vajzën Era. Pas votimit, Gjika është prononcuar për mediat duke uruar për një ditë të mbarë votimesh, si dhe ka ftuar qytetarët të votojnë. Gjithashtu, Gjika bëri publike një nga situatat që kanë ndodhur në qendrën e votimit pranë shkollës 9-vjeçare “Marigo Posio”, në lagjen “24 Maji”. Gjika nuk e ka cilësuar incident, por tha se janë evidentuar përfaqësues të strukturave të së djathtës, të cilët në qendrat e votimit, po i bëjnë presion sidomos administratës. Kandidati tjetër, ai i Aleancës për Qytetarin, Ardian Kollozi, pasi ka votuar në qendrën e votimit në Kopshtin Nr.9, shoqëruar nga bashkëshortja e tij Arbana, ju përgjigj akuzës se Gjika e ka bërë këtë akuzë thjesht se po parandjen humbjen.
Në fakt, situata në Qarkun e Vlorës në këto zgjedhje ka qenë pothuajse e qetë, përjashtuar disa problemtika të veçanta në disa qendra votimi, të cilat kanë përcjellë edhe tension.
Votimi ka nisur normalisht në shumicën dërrmuese të qendrave, ku përjashtim kanë bërë qendrat e Komunës Horë-Vranisht dhe Mesopotam. Nga punonjësit e Policisë së Shtetit, komisionerëve të qendrave të votimit u janë dorëzuar të gjitha qendrat e votimit, përveçse një qendre votimi në Komunën Mesopotam të Delvinës dhe Komunën Horë-Vranisht. Mbas dorëzimit të qendrave të votimit komisionerëve, punonjësit e Policisë së Shtetit janë larguar nga qendra e votimit, për t’u dislokuar në vendet e përcaktuara. Rreth 1 orë e gjysmë më pas nisjes së votimit është zhbllokuar situata në komunën Horë-Vranisht, për shkak të vonesave të komisionerëve. Në një nga fshatrat e Komunës Mesopotam, për shkak të mosparaqitjes së kreut të komisionit dhe nënkryetarit të qendrës së votimit, KZAZ përkatëse ka vendosur ndërrimin e tyre me një komisioner nga kjo e fundit, ndërkohë që ndërrim komisionerësh është bërë edhe në Dhërmi, çka ka sjellë vonesa. Në Nartë votimi është ndërprerë dy herë, në një prej të cilave është identifikuar një grua, e cila është prezantuar të votojë me ID e vajzës së vet. Mësohet se gruaja ka qenë emigrante. Në momentin që një nga komisionerët e PS-së e ka ndaluar gruan të votojë, duke i treguar kartën, ajo është tërhequr duke shpjeguar se ishte vetëm një ngatërresë. Më parë procesi ishte ndërprerë, për një nga komisionerët, për të cilin u ngritën pretendimet se ishte familjar me kandidatin.