Shkodër, vonesa dhe probleme me fletët
Në komunën Shllak nuk është votuar, për shkak të mungesës së komisionerëve të Partisë Socialiste
SHKODËR Ka përfunduar procesi zgjedhor në qarkun e Shkodrës, ku nga 33 njësi të qeverisjes vendore, ai është zhvilluar me normalitet në 32 prej tre, ndërsa në komunën malore të Shllakut ky proces nuk ka filluar dhe materialet janë kthyer në KQZ. Pasditen e së dielës janë shfaqur parregullsi në drejtim të bazës materiale, në qendrën e votimit nr. 216, në fshatin Berdicë e Mesme në komunën e Berdicës, ku ndonëse me vonesë është konstatuar mungesa e 500 fletëve të votimit, nga 827 votues që ka kjo qendër votimi. Sipas komisionerëve, vonesa e konstatimit ka ndodhur pasi është menduar se blloqet e fletëve të votimit kishin nga 200 fletë, por në të vërtetë ato kishin nga 100. Kjo ka sjellë ndërprerje të procesit, derisa ka ndërhyrë KZAZ 41, që ka sjellë fletët e tjera që, sipas saj, gabimisht janë futur në materialet zgjedhore të një qendre votimi tjetër. Gjithashtu, në ora 13:00, në Qendrat e Votimit 0135 dhe 0142, në fshatin Koman, të Komunës Temal, rrethi Shkodër, komisioni i këtyre dy qendrave, ka marrë vendim për të kërkuar ndërhyrjen e policisë në vendosjen e rregullit, pasi ka pasur shumë votues brenda në qendrat e votimit. Policia ka ndërhyrë dhe procesi është zhvilluar normalisht. Në përfundim të tij, nga të dhënat që jepen, mësohet se në qytetin e Shkodrës kanë marrë pjesë në votimet e 8 majit 38% e zgjedhësve, ndërsa në fshat 47% e tyre. Transport i materialeve zgjedhore në VNV 40 dhe 41 ka shkuar normalisht dhe materialet janë shoqëruar me polici. Gjatë procesit zgjedhor në Shkodër, policia ka qenë korrekte duke qëndruar larg qendrave të votimit dhe duke u afruar vetëm kur kërkohej ndihmë nga drejtuesit e komisioneve përkatëse, sipas ligjit. Në qendrën e votimit nr. 306 ka votuar dhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila ka theksuar se “sot është një ditë e bukur, një ditë me diell. Unë jam e sigurt se kjo ditë e votimeve për pushtetin lokal, për qeverisjen vendore, do të jetë një ditë feste. Jam shumë e kënaqur; mesa shoh, organizimi është i shkëlqyer. Njerëzit, qytetarët vijnë këtu që herët, për të votuar për atë që do të jetë kryetar i tyre, i bashkisë dhe komunës. Unë jam e sigurt se, këto zgjedhje do të jenë zgjedhjet më të mira, ku qytetarët, kudo, jo vetëm në Shkodër, por në çdo cep të Shqipërisë, do të votojnë me qytetari, do të votojnë si europianë. Dhe sot ata kanë ditën e tyre për të vendosur për atë, që do të jetë kryetari i tyre i bashkisë më i miri, ai që mendon për qytetin dhe për qytetarët. Unë jam e sigurt se, qytetarët shqiptarë do të japin një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse është dita e tyre. Është dita, në të cilën, ata vendosin dhe kontributi i tyre do të jetë për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për qytetin e tyre, jo vetëm për qytetarët e tyre.
Topalli i ka ftuar të gjithë, që të votojnë me qetësi, me qytetari. “Është shumë e rëndësishme që, ne të tregojmë se ne votojmë me qytetari dhe kështu po votohet edhe në këto momente; unë besoj se kështu do të vazhdojë gjatë gjithë ditës”.
Problemet
Në fshatin Juban është bllokuar procesi, pasi ka pasur votime në grup dhe kjo ka sjellë reagime. Mbi 100 persona kanë pritur mbi një orë jashtë rrethimit të qendrës shëndetësore ku ndodhet QV nr. 341, për të votuar dhe të revoltuar janë shprehur se kjo që po ndodh është e padrejtë. “Është turp që nuk lihemi të votojmë. Sajohen konflikte e gjithfarë gjërash dhe njerëzit presin e nuk votojnë dot“, shprehen të revoltuar personat që presin në radhë. Në ambientet e jashtme të kësaj qendre votimi, ka pasur dhe një incident mes një militanti dhe një grupi xhirimi, që po kryente punën e tij jashtë qendrës së mbyllur, në oborrin e saj. Një militant ka tentuar të godasë dhe thyejë kamerën dhe aparatin fotografik të grupit të xhirimit, si dhe i ka kanosur e fyer ato, ndërsa situata është qetësuar me ndërhyrjen e banorëve të tjerë që ndodheshin jashtë qendrës së votimit, në pritje të hapjes së procesit.
Në Stajkë ka pasur probleme me 2 qendra të votimit, në njërën ka pasur 100 fletë, ku numri i serisë nuk përputhej, fletë votimi këto për këshillin e komunës Bushat, ndërsa tek tjetra ka pasur 495 fletë mangët. Zëvendësimi i tyre nga ZAZ nr. 41, ka rikthyer normalitetin. Më pas në një prej qendrave të votimit në Stajkë, atë me nr 162 votimi është kryer me një vulë pasi nënkryetari i qendrës së votimit nuk pranon të vulosë fletët pasi sipas tij ka parregullsi në votim duke votuar mbi baza familje, një për gjithë familjen. Ndërkaq, në qendrën e votimit nr. 160, po në fshatin Plezhë të komunës Bushat, ka pasur një incident jashtë ambienteve të saj. Familjarë të komisionarëve janë grindur për radhën e hyrjes për të votuar në qendrën e votimit në mjediset të shkollës fillore në këtë fshat. Kjo ka bërë që dy anëtarë të komisionit të qendrës së votimit, përfaqësues të PD dhe PS, të dalin jashtë ambienteve të saj dhe të ndërhyjnë në konfliktin e familjarëve të tyre. Por ato janë përfshirë në konflikt, që është shoqëruar dhe me goditje. Më pas gjithçka është qetësuar dhe procesi ka vazhduar normalisht me pjesëmarrjen në komision të dy komisionerëve të përfshirë në konflikt, Loro Plepi dhe Nest Kopcari. Në fshatin Melgushë të komunës Bushat, procesi është ndërprerë për rreth 30 minuta, pasi në një prej dy qendrave të votimit në këtë fshat, janë konstatuar 400 fletë votimi mangët. Është kërkuar që votimi të vazhdojë pasi kishte fletë votimi gjendje dhe të pritej ardhja e atyre që mungojnë, por mosmarrëveshjet mes komisionerëve të dy palëve kanë shkaktuar pezullimin e procesit, që më pas ka rifilluar pas zëvendësimit të tyre.
Në komunën malore të Shllakut në Shkodër, procesi zgjedhor nuk është zhvilluar, pasi nuk janë paraqitur komisionerët e PS. Materialet zgjedhore janë kthyer prapa dhe pritet vendimi i KQZ për këtë komunë.
Në rrethin e Malësisë së Madhe dhe atë të Pukës, procesi i votimit ka vazhduar me korrektesë dhe pa asnjë incident. Në një deklaratë të PS, është theksuar se ka përpjekje për blerje votash në hyrje të qytetit te lagje Liria, si dhe në komunën Rrethina ka persona, kryesisht votues të majtë, që nuk e kanë gjetur emrin në listat pranë qendrave të votimit, ku e kanë zhvilluar gjithnjë procesin, por janë spostuar për të votuar në qendra më të largëta, madje dhe në rrethet e tjera. Blerja e votave në lagjen më të varfër të Shkodrës, atë “Liria “, tentohet të bëhet nga parti të vogla që duan patjetër të sigurojnë vende në këshillin bashkiak të qytetit.
djana kolaj