Korçë, në komuna denoncohet votimi në grup, sherr mes komisionerëve
Ka nisur me disa probleme të vogla procesi zgjedhor në qarkun e Korçës. Në komunën e Ravonikut votimi nuk ka filluar ende, pasi mungon pajisja e verifikimit të bojës, ndërsa në Vloçisht, Lozhan dhe Lavdar mungojnë komisionerët e djathtë. Ndërkohë dje në mbrëmje në një tjetër komunë të këtij qarku ka pasur akuza nga shtabi socialist se është marrë vula nga kryetarja e komisionit zgjedhor. Dje në mbrëmje Bashkia e Korçës nëpërmjet një reagimi ka akuzuar kampin e djathtë se ka thyer heshtjen zgjedhore, duke shpërndarë materiale propagandistike, gjë që është përgënjeshtruar nga PD-ja e zonës. Në këtë qark do të votojnë 185 mijë zgjedhës në 419 qendrat e votimit.
Situata
Rajoni juglindor i vendit ka patur një ecuri pozitive të procesit zgjedhor gjatë të dielës së 8 Majit. Votimi ka nisur në orën 7.00 të mëngjesit në të katër rrethet e qarkut të Korçës. Nga burim et zyrtare pranë KZAZ-ve mësohet se në disa raste votimi ka nisur me vonesë, pasi ka pasur ndërprerje të tij. Gazeta “Mapo” ka ndjekur orë pas orë zhvillimet në të gjitha qendrat e votimit në Korçë, Kolonjë, Pogradec dhe Devoll.
Ora 7.00 Starton procesi i votimit për 36 njësi administrative në qarkun e Korçës. Nuk raportohen. Në një qendër votimi të qytetit të Pogradecit ka qenë i bllokuar votimi, pasi kishin ngatërruar kutinë e votimit për këshilltarët. Pas njoftimit të KQZ-së ka mbërritur dokumentacioni përkatës me anë të helikopterit të dërguar me urgjencë nga ana e KQZ-së. Deri në orën 9.00 në disa fshatra të rrethit të Korçës ka patur probleme, ku në 1 qendër në Vloçisht dhe 2 në Lekas nuk janë hapur ende për shkak të mungesës së komisionerëve. Ora 9.30 Në rrethin e Kolonjës 10 qendra votimi nuk janë hapur ende, për shkak të mungesës së komisionerëve dhe KZAZ po merr masa për zëvendësimin e tyre. Ndërsa në Pogradec në një qendër votimi janë ngatërruar kutitë dhe po bëhet zëvendësimi i tyre.
Kandidatët
Ora 10.00 Dy kandidatë të për Bashkinë e Korçës kanë shkuar në votim. Ndonëse në qendra të ndryshme votimi, kandidatët të shoqëruar me bashkëshortet e tyre përveç votës, kanë dhënë dhe nga një mesazh për qytetarët e Korçës. “Në këtë ditë të shënuar dua të falënderoj të gjithë qytetarët korçarë për qytetarinë e treguar gjatë gjithë kësaj kohe. Dua t'i ftoj që të gjithë të shkojnë në votim. Korça ka nevojë për votën e të gjithëve. Dua t'ju uroj të gjithëve. Nesër do të jemi bashkë në bashkinë e re. Është një proces normal, që po ecën shumë mirë. Ajo që vë re është që ka pjesëmarrje të lartë. I inkurajoj qytetarët dhe u bëj thirrje të vijnë të votojnë për atë që mendojnë se do të jetë më e mira për qytetin e tyre" - ka pohuar para gazetarëve kandidati i djathtë Andrea Mano. "Jam i bindur që qytetarët e Korçës do të dinë të tregojnë që janë qytetarë korrektë, që respektojnë ligjin dhe këtë proces, duke i dhënë jo vetëm Korçës por Shqipërisë një model të një fushate jo vetëm korrekte, por edhe me një rezultat të një standardi europian. Jam i bindur që qytetarët do të dinë të vlerësojnë dhe të japin një votë në interes të qytetit" - tha kandidati i majtë Niko Peleshi, që garon për një mandat të dytë.
Ora 15.59 Në komunën Miras dhe saktësisht në fshatin Fitore, një militant i Partisë Demokratike ka goditur komisionerin e PS-së, pasi ky i fundit nuk e ka lejuar që ai të votojë në grup. Sipas ligjit, asnjë qytetar nuk mund të votojë në grup dhe komisioneri socialist ka dashur të zbatojë ligjin. Komisioneri i dhunuar është Vilson Lipe në qendrën e votimit 3998, në komunën e Mirasit në rrethin e Devollit. Lipe ka penguar një militant të Partisë Demokratike që të votojë familjarisht, çka ka shkaktuar reagimin e këtij të fundit, që e ka goditur komisionerin e PS-së në kokë dhe trup.
Irena Vreto
Problemet
Problemet Në 9 qendra votimi në Kolonjë ka probleme teknike në disa qendra votimi për shkak të mungesës së komisionerëve. Në komunën Mollas ka probleme për shkak të mungesës së komisionerit të LSI-së. Në komunën Gorë qendra e votimit ndodhet e bllokuar për shkak se listat përfundimtare të votuesve nuk kanë vulën e kreut të komunës. Kreu i PS-së Korçë mësohet se ka bërë para një muaji padi në prokurori për problemet me listat. Bëhet fjalë për 60 votues që nuk janë regjistruar në këtë komunë.
Progradec probleme në dy qendra për shkak të kutive të thyera.
Në ora 12:00 Vijojnë problemet në qarkun e Korçës. Sipas njoftimeve më të fundit, komisionerët e PS-së janë larguar nga posti i tyre, duke ndërprerë kështu procesin zgjedhor në Ravonik. Pritet rikthimi i komisionerëve. Në ora 13.00 koalicioni i vëzhguesve vendorë raporton për tentative të votimit në grup të më shumë se një herë i disa personave në qendrën e votimit me nr. 3793, rreth orës 10: 55 minuta. Madje, ka pasur dhe ndërhyrje të forcave të rendit. Ndërkohë që koalicioni raporton se në Bubullimas të Lushnjës fletët e votimit janë konstatuar të njoma. Në njësinë 6 në Tiranë ka pasur diskutime për saktësinë e cilësisë së bojës, por më pas është rregulluar. Ndërsa në orët e vona një person i armatosur me armë të tipit kallashnikov ka hyrë në një qendër votimi në qytetin e Pogradecit. Qytetari hyri në qendrën numër 3907 duke kërcënuar komisioneret. Si tregojnë dëshmitarët ai donte te votonte pas orës 19:00, kur ishin mbyllur kutitë e votimit.