Lirimi i Ramush Haradinajt do të forconte politikën

Me datën 29 të këtij muaji pritet vendimi përfundimtar i Tribunalit të Hagës për gjykimin ndaj ish kryeministrit dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj.
Në Kosovë spektri politik është optimist në lirimin e tij. E njëjta po ndodh edhe me qytetarët e Kosovës.
Me gjithë këtë entuziazëm vjen edhe pyetja se nëse Haradinaj do të lirohet, atëherë a do të ndodhin vërtetë ndryshime në qeveri?
Vetëm pak kohë më parë ishte folur shumë për një koalicion të ri të mundshëm në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Analistët politik në vend thonë se është ende herët të flitet për një koalicion të mundshëm.
“Mendoj që është herët të flasim pasi që ende nuk e kemi dëgjuar mendimin e Ramush Haradinajt për këtë çështje dhe Haradinaj vendosë për koalicionin” ka thënë Astrit Gashi për Indeksonline.
Por Gashi kujton se në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur një disponim për të përkrahur dialogun dhe për të qenë pjesë e tij.
“AAK mund të hyjë në dialog edhe për arsyen e reformës zgjedhore në mënyrë që zgjedhjet të mbahen vitin e ardhshëm” thotë Gashi.
Ndërkohë analisti Nexhmedin Spahiu thotë se lirimi i mundshëm i Haradinajt do të ndryshonte skenën politike sepse do të kishte një faktor të ri në lojë.
“Kjo ngjanë me një ndeshje futbolli...kur kthehet në lojë një lojtar i rëndësishëm sigurisht që ndikon edhe në epilogun e gjithë lojës” thotë Spahiu për Indeksonline.
Spahiu thotë se ata që e shohin si konkurrent liderin e AAK-së edhe duhet të ja kenë frikën. Ai mendon se AAK do të mund të bëhej pjesë e dialogut sepse Haradinaj është njeri që nuk i ikë përgjegjësisë.
“Mendoj se ai do të hynte edhe në dialog sepse sa e njoh unë ai nuk është njeri që ikën nga përgjegjësia” thotë Spahiu.
Ndërkohë ndikimi i Haradinajt pritet të vërehet edhe nëse AAK nuk do të jetë pjesë e qeverisë. Sipas analistëve, kthimi i tij do të forconte shumë edhe opozitën./Mimozë Hamza/Indeksonline/.