E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, “Lustrimi” sërish në Gjykatën kushtetuese

Komiteti i Helsinkit dhe një grup qytetarësh dorëzuan nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Lustrim në Gjykatën Kushtetuese. Ata kërkojnë abrogim të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me periudhën e lustrimit, publikimin në internet të emrave të personave të lustruar si dhe kompetencat që ky Komision fiton në bazë të këtij ligji. Nga Komiteti i Helsinkit gjithashtu kërkojnë që Gjykata të ndërpresë punën e Komisionit për lustrim deri sa të shqyrtohet kushtetutshmëria e ligjit.
 

“Iniciativa jonë përfshin kryesisht dispozitat që kanë të bëjnë me periudhën kohore të procesit të lustrimit, publikimi dhe mënyrën e publikimit të personave të lustruar në ueb faqen e Komisionit për verifikim e fakteve, si dhe kompetencat e këtij komisioni, i cili përmes këtyre dispozitave merr rolin dhe kompetencat e gjykatës. Vlerësojmë se Gjykata Kushtetuese do të jetë konsistente në veprimin e saj dhe do të marrë vendim sikurse në dy rastet e kaluara, t`i kontestojë dhe t`i abrogojë dispozitat që kontestojmë, por para se gjithash presim që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për të penguar zbatimin e akteve dhe vendimeve në bazë të këtij ligji”, tha Uranija Spiroska, drejtor i Komitetit të Helsinkit
 

Ndërkaq për Stamen Filipov, njërin nga grupi i qytetarëve që po ashtu ngritën iniciativë për kontestimin e ligjit për lustrim, është jo normale që parlamenti të miratojë një ligj që është kontestuar dy herë radhazi nga Gjykata Kushtetuese. Ai kërkon që jo vetëm të abrogohen dispozitat kontestuese, por i gjithë ligji pasi është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.
 

“Ky është ligji më kontestues dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë...nuk mundet që parlamenti të vendosë për lustrim të njerëzve pas vitit 91, pas miratimit të Kushtetutës, pasi kemi institucione të cilat përgjigjen për veprat penale apo materiale. Po ashtu edhe sulmet ndaj kapitalit privat... nuk mund të lustrohen njerëzit nëse kanë bërë vepër penale në Fushën e të drejtës pronësore dhe lustrimi është të pastrohet e kaluara... cilën të kaluar do pastrojmë ne nga viti 91 deri më 2006?`, tha Stamen Filipov, qytetar.
 

Ligji i ri për lustrim hyri në fuqi më 17 korrik, pasi Gjykata Kushtetuese abrogoi 12 dispozita kontroverse të ligjit paraprak të miratuar në vitin 2008. Por sipas Komitetit të Helsinkit edhe me këtë ligj, të drejtat e qytetarëve shkelen sërish.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›