E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirimi me kusht, tërhiqet Sokol Koçiu

Sokol Koçiu është tërhequr nga kërkesa për lirim me kusht. Nuk ka dhënë ndonjë arsye se përse është tërhequr, ndërkohë që as nuk i është kërkuar nga gjyqtari arsyeja pse nuk e ka çuar deri në fund këmbënguljen e tij për lirim nga burgu. Pas katër seancash të shtyra për mungesë së kërkuesit, i gjendur përballë kërkesës së drejtpërdrejtë të Koçiut, e bërë nga vetë ai në sallën e gjyqit, gjyqtari, Artan Broci, që ishte duke marrë në shqyrtim këtë kërkesë, vendosi ta pranojë atë dhe të pezullojë gjyqin. Vendimi është marrë dje në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që ka qenë vetë kërkuesi Koçiu që ka vendosur që procesi të ndërpritet. Kërkuesi nuk ka dhënë asnjë sqarim rreth tërheqjes së tij, ndërkohë që as gjyqtari i çështjes nuk ka kërkuar shpjegime për këtë tërheqje të të dënuarit të grupit “Kokaina”. Ndërkohë që i dënuari u tërhoq nga kërkesa e depozituar disa muaj më parë për lirim me kusht, një tjetër kërkesë është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës, nga një tjetër gjyqtar. Bëhet fjalë për kërkesën e Koçiut për përfitim nga amnistia, kërkesë kjo që i është rrëzuar disa herë apo është shpallur moskompetenca për shqyrtimin e saj. Ish-oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme është një nga të dënuarit e dosjes “Kokaina” dhe ka të paktën 2 vjet që në mënyrë të përsëritur depoziton kërkesa të ndryshme, si për ulje dënimi, amnisti dhe së fundi lirim me kusht, nga e cila hoqi dorë seancën e djeshme. Kërkesat kanë pasur si objekt amnistinë, ulje dënimi, liri me kusht, ndërkohë që shumica prej tyre janë rrëzuar nga ana e gjykatës. Ai u dënua me 12 vjet heqje lirie për akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Deri më sot, ai ka kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe i kanë mbetur për të vuajtur edhe dy vite e gjysmë burg.

Detaj

2 vjet ka Sokol Koçiu që në mënyrë të përsëritur depoziton kërkesa të ndryshme, si për ulje dënimi, amnisti dhe së fundi lirim me kusht, nga e cila hoqi dorë seancën e djeshme

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›