E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita; Ministri Alibeaj, takim me Kryeministrin Thaçi në Kosovë

Ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, z. Enkelejd Alibeaj, ka zhvilluar dje një vizitë në Prishtinë, Kosovë, ku është takuar me homologen e tij, ministren e Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi. Kjo vizitë kryhet me ftesë të homologes së tij dhe ka si qëllim intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në fushën e drejtësisë. Gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në Kosovë, ministri i Drejtësisë, z Enkelejd Alibeaj, do të takohet edhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Më pas ministri do të kryejë një vizitë pune me Avokatin e Popullit dhe do të vendosë kurora me lule në memorialin e Presidentit Rugova, si dhe në memorialin e dëshmorëve në varrin e Adem Jasharit. Rreth dy muaj më parë Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendi, zhvilloi një vizitë pune në kuadër të themelimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, me qëllim huazimin e përvojave në fushën e gjyqësisë kushtetuese dhe familjarizimit, me kuadrin normativ relevant për institucionin e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë takim ministri Alibeaj i ofroi homologes së tij kosovare eksperiencën e Ministrisë së Drejtësisë në të gjitha fushat e jurisprudencës. Ministri i Drejtësisë propozoi krijimin e një rrjeti shkëmbimi informacionesh mes dy institucioneve tona në fushën e drejtësisë, gjë që u mirëprit nga ministrja Kelmendi. Në këtë vizitë ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, do të shoqërohet nga drejtoresha e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë, znj. Marsida Xhaferrlarri, këshilltari në kabinetin e ministrit, z. Enid Minarolli dhe Avokati i Shtetit, z. Eduard Halimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›