Bosch: Pranoni draftin tani, tregoni se jeni burra shteti
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, konfirmoi dje i pari se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë përpara një draft, të cilin sipas tij, duhet ta pranojnë menjëherë dhe pa humbur kohë. Me një ton të prerë diplomati i huaj u kërkoi krerëve të partive të mëdha të tregohen burra shteti dhe të lënë mënjanë interesat e forcave politike që drejtojnë. "Ajo që dua të them është se, që dje ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t'i inkurajoja udhëheqësit politikë të pranojnë kompromisin tani, të tregojnë kurajë, të tregojnë se janë burra shteti, të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete, të shikojnë interesin e vendit të tyre. Mos vini të parat interesat tuaja personale dhe bëni hapin e madh! Koha është tani! Nuk do të ketë më kohë për t'u zgjatur!", tha Bosch. I pyetur se cilat janë pikat e draftit që u është dërguar dy partive të mëdha, ambasadori i Prezencës së OSBE-së nuk pranoi të jepte detaje, por shtoi se marrëveshja ka mbështetjen e Brukselit dhe të Uashingtonit, duke vlerësuar se kompromisi duhet të pranohet. "Nuk do të them se cili është kompromisi. Liderët, të cilëve unë po u drejtohem, e dinë shumë mirë cili është kompromisi dhe është një kompromis shumë i mirë, që duhet pranuar. Ky kompromis ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së. Ai vërtet duhet pranuar", u shpreh Bosch.