E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria mbyll hetimet për maniakun që tmerron transvestitët



Laureta Rryçi

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për maniakun që tmerronte tranvestitët. Tashmë dosja në ngarkim të Sejbadin Hoxhës ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Tiranës, por edhe pse në qendër të saj është vrasja e Kristinës, dëshmitë zbardhin mënyrën se si prostituojnë tranvestitët në Tiranë dhe kërcënimi që u vinte, sipas tyre, nga maniaku. Në të gjitha dëshmitë e marra nga oficerët gjyqësorë të çështjes, tranvestitët janë shprehur se Sejbadin Hoxhës nuk ia dinin emrin, por të gjithë e thërrisnin maniaku. Sipas tyre, ai shkonte me prostitutat dhe tranvestitët, herë me katërqind lekë e herë me tetë euro. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë kërkesën për gjykim dhe sjell në numrin e sotëm disa nga dëshmitë e marra tranvestitëve që njiheshin me Kristinën.
Dëshmitë
Prokuroria, në kërkesën për gjykim, ka përfshirë disa dëshmi për të dhënë shumë detaje dhe fakte që nuk tregojnë vetëm për ngjarjen. Këto dëshmi janë marrë pak ditë pas ngjarjes ku u gjet i therur në fyt tranvestiti. Sipas dëshmisë së policit që ruante atë natë godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ai ka vënë re një person që afrohej drejt tij. Personi ishte drejtuar nga polici duke i thënë: “Më theri maniaku. Më theri në fyt”. Më pas ai ka parë që tranvestiti kishte rënë përtokë dhe ishte mbuluar në gjak. Ndërsa në anën tjetër të rrugës kishte parë një person që ishte larguar për nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme. Është pyetur për këtë ngjarje edhe Fatjon Hoxha, i njohur me emrin Anxhela. Ky i fundit ka deklaruar se atë natë, ai, bashkë me Kristinën, kanë qëndruar te stolat e lulishtes në krah të selisë së Partisë Demokratike. Anxhela ka treguar se një natë më parë, kur po flinte brenda ambienteve të ish-hotel “Drinit”, pikërisht në katin e parë, vend ku ka ndodhur dhe ngjarja, i ka ardhur një person, të cilin ajo kishte rreth dy muaj që e shikonte shpesh. “Ky person më zgjoi nga gjumi dhe më tha të kryenim marrëdhënie seksuale dhe do me paguante 400 lekë. Unë i thashë atij që nuk kisha dëshirë dhe kjo vinte sepse ne tranvestitët nuk shkonim me të pasi na dukej si maniak dhe kishim frikë. Kur unë i thashë kështu, ai gjeti një shkop dhe më goditi. Në atë kohë erdhi dhe Petriti (Kristina) dhe e shtyu. Ai na tha se ‘do të shikoni ju se çdo t’ju bëj unë nesër në dark뒔, - thotë në dëshminë e tij një nga tranvestitët që prostituon në qendër të kryeqytetit. Sipas kësaj dëshmie, i pandehuri prezantohej si turk, por asnjëherë nuk e tregonte emrin. Pas kësaj ngjarjeje, një natë më pas personi në fjalë, sipas dëshmisë, theri me thikë Kristinën.
Nata e vrasjes
Sipas një tjetër dëshmie, viktima me vrasësin janë takuar fillimisht në lulishte rreth orës 21:00-21:30. Dy tranvestitë të tjerë janë larguar, duke e lënë Kristinën në të njëjtin stol duke biseduar me kosovarin, siç njihej ndryshe i pandehuri në rrethin e tranvestitëve. I pandehuri e ka ftuar për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës Kristinën dhe kanë shkuar në vendin e zakonshme ku kryente marrëdhënie edhe me të tjerët. Nuk kanë kaluar shumë kohë kur ajo ka dalë e therur në fyt dhe pak çaste më pas ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Kërkesa për gjykim, versioni i vrasësit

Ndërkohë, një version krejt ndryshe është shkruar në dosje si deklarime të të pandehurit. Ai ka treguar se ishte nga Prizreni, por kishte një periudhë të shkurtër kohe që qëndronte në Tiranë. Ai ka rrëfyer se në kryeqytet, pasi ka qëndruar ndonjë natë tek-tuk në hotele të ndryshme, pjesën tjetër e ka kaluar nëpër lulishte. Ai ka pranuar se shpeshherë kalonte te gropa në qendër dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës me prostituta dhe tranvestitët që qëndronin atje. Sipas tij, pagesa më e lartë që kishte dhënë ishte tetë euro, pastaj të tjerat zakonisht i kishte kryer për katër qind lekë (të rinj). Për natën e ngjarjes ai tregon se kishte rënë dakord për të kryer marrëdhënie seksuale me Kristinën. Ai tregon se vendi ku ajo bënte seks zakonisht ishte i errët dhe binte shumë erë të keqe. “Pasi më fërkoi për rreth dy minuta, më futi duart në xhep për të më vjedhur, ku më mori pasaportën dhe letërnjoftimin. Unë e kuptova që ajo më vodhi dhe dola përjashta duke bërtitur. Më pas kam ikur dhe nuk e di se çfarë është bërë me të”, - thotë i pandehuri në deklaratën e tij.

Homoseksuali u gjet me fyt të prerë

Petrit Muça, 36 vjeç, me origjinë nga Elbasani, u gjet i vrarë nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 1 disa muaj më parë, në ambientet e ish-hotel “Drinit”, në rrugën "Abdi Toptani". Efektivët e komisariatit u njoftuan nga polici roje i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve se kishte dëgjuar një ulërimë në ambientet e braktisura të ish-hotel “Drinit”. Prej këtej, vetëm pak çaste më vonë kishte dalë një person që ishte larguar në drejtim të rrugës "Xhorxh Bush" dhe më pas ishte zhdukur. Policia, pas mbërritjes së saj në vendin e ngjarjes, kishte gjetur me fyt të prerë homoseksualin Petrit Muça. Blutë shoqëruan pas ngjarjes të gjithë të njohurit e viktimës, si dhe vetë të dashurin e homoseksualit, Altin A. Ky, sipas burimeve të policisë, i tregoi policisë se e kishte parë Petritin herën e fundit me kosovarin të ulur në një stol. Policia ka mundur ta gjejë të dyshuarin vetëm të nesërmen pasdite, duke e shoqëruar dhe më pas arrestuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në kryeqytet.

Gjendet arma e krimit pak metra nga vendngjarja

Një ditë më vonë efektivët e Komisariatit Nr. 1, vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, kanë gjetur një mjet të mprehtë, të ngjashëm me thikën, të gjakosur e të hedhur në rrugë. Gjurmët e gishtërinjve dhe të pëllëmbëve të administruara prej specialistëve dhe ekspertëve kriminalistë në thikën e gjetur dyshohet se i përkasin të arrestuarit. Për të vërtetuar një fakt të tillë, policia ka dërguar gjurmët e administruara në Laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore, me qëllim krahasimin e tyre me gjurmët e gishtërinjve të të arrestuarit si i dyshuar për vrasjen.

22 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›