E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Protestat e opozitës do të shpërndajnë Parlamentin e Ruzhdies”



Eneida Jaçaj
Pas dështimit të seancës maratonë të mbajtur prej dy ditësh për zgjidhjen e krizës politike në vend përmes hapjes së kutive, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, deklaroi se opozita do të organizojë një valë protestash, të cilat nuk do të ndalen derisa të vihet në vend e drejta për transparencë.
Kreu i selisë rozë sqaroi se opozita do të protestojë për largimin e qeverisë, shpërndarjen e Parlamentit dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të rizgjedhin. Rama theksoi se protestat tani do të kenë si qëllim jo vetëm kërkesën për hapjen e kutive, por edhe shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme. Lidhur me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, miratuar vetëm me votat e maxhorancës, Rama tha se është një farsë që e thellon më shumë krizën. Sipas tij, me dhunën e kartonëve u ngrit një komision hetimor i pakërkuar nga ata që e ngritën dhe që thonë se do ta vënë në jetë pavarësisht nga opozita, pavarësisht se janë në pakicë. Ai bëri të ditur gjithashtu se opozita nuk do të marrë pjesë në këtë komision, ndërsa lidhur për rinisjen e bojkotit, ai tha se do të vendoset më vonë. Votimin për komisionin hetimor, kryesocialisti e cilësoi si votimin në Ruzhdie.
Bashkëbisedimi
Kreu i PS-së ka sulmuar dhe njëherë maxhorancën, duke u shprehur se qeveria ka frikë për hetimin e zgjedhjeve. “U pa qartë se kush i friket transparencës dhe kush e kërkon transparencën. Fakti është shumë i qartë, nuk mund të ketë transparencë pa hapjen e kutive”, - u shpreh Rama. Ai i bëri të qartë maxhorancës se PS-ja ka mbështetjen e ndërkombëtarëve në ngritjen e komisionit hetimor përmes hapjes së kutive.
Rama theksoi se gjatë këtyre muajve PS-ja ka kërkuar një të drejtë elementare, “transparencën e votës së popullit”. Sipas tij, e drejta e PS-së bazohet në të drejtën europiane dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. “PS-ja dhe opozita do të lëvizë me shpejtësi drejt nxjerrjes në të gjitha hapësirat publike të vendit të protestuesve. Nuk patëm nga pala tjetër asnjë propozim, patëm vetëm refuzimin për t’iu afruar kutive. Kutitë janë për palën tjetër temjani që tmerron djallin. Sepse në kuti fshihet e vërteta që pala tjetër nuk i ka marrë votat për të qeverisur Shqipërinë, por i ka grabitur ato duke tjetërsuar vullnetin e popullit”, - deklaroi Rama. Kreu i selisë rozë bëri të qartë se opozita do të inkurajojë çdo protestë, në çdo bashki dhe cep të vendit, për çdo çështje që është një problem për njerëzit për shkak të qeverisjes. “Nuk është më një moment kur duhet të japim shpjegime. Sot ne duhet të japim mbështetje për çdo qytetar. Ne, në këtë valë të re protestash do të ngremë me forcë zërin e arsyes të ngritur për të gjitha çështjet që sot shqetësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. Për gjithë këtë varfëri, papunësi, kjo qeveri duhet të largohet”, - u shpreh Rama. Ai theksoi se kërkesa për largimin e qeverisë është një kërkesë demokratike. “Ne ishim 48 orë në Parlament, sepse kërkonim zgjidhjen dhe kërkonim konsensusin bazuar mbi Kushtetutën dhe nevojën për transparencë. Jo vetëm na u mohua e drejta dhe përpjekja për zgjidhje, por në fund u bë një veprim që refuzoi këtë Parlament për ta identifikuar më qartë si Parlamenti i Ruzhdies”, - u shpreh Rama, duke nënvizuar se “ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrimin tonë karshi shqiptarëve që Shqipëria të ketë një parlament të sajin dhe jo një parlament të Ruzhdies”.
Komisioni
Dy ditët e debatit parlamentar për gjetjen e një zgjidhjeje mbi krizën politike në vend u mbyllën dhe me një ndarje akoma më të madhe mes pozitës dhe opozitës. Ndërsa kaluan të gjitha limitet kohore për arritjen e një marrëveshjeje, socialistët tërhoqën dy nismat ligjore, ndërsa maxhoranca votoi me 73 vota komisionin parlamentar hetimor. Por, nga ana tjetër, kreu i selisë rozë e ka cilësuar një farsë ngritjen e këtij komisioni hetimor, duke mohuar ekzistencën e tij. “Ai komision nuk ekziston dhe s’ka pse të humbet kohë. Ne kemi qenë në protestë denjësisht, sot hyjmë në një fazë të re dhe thirrja jonë e përditshme për shqiptarët do të jetë protestë dhe vetëm protestë”, - u shpreh Rama, duke nënvizuar se “komisioni është një farsë që thjesht thellon qartësinë e krizës, kjo është një farsë që është një argument më shumë për një betejë, e cila sot jemi akoma më të vendosur ta vazhdojmë. Një pushtet që arrin deri në pikën ku arriti mbrëmë është një pushtet që nuk ndalet përpara asgjëje në raport me qytetarin e tij dhe këtë”. Ai tha se PS-ja nuk mund ta tolerojë, sepse është opozita shqiptare e bashkuar me plot parti, aktorë shoqërorë dhe nuk mund të lejojë një deformim prej të cilit buron vetëm krizë tërësore e ekonomisë, demokracisë.

Vikor Gumi: “Socialistët të marrin pjesë në komisionin hetimor”

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Viktor Gumi, u ka bërë thirrje dje deputetëve të PS-së që të marrin pjesë në mbledhjen e komisionit hetimor parlamentar për të bërë transparencën e kërkuar të procesit zgjedhor. “Në vijim të binomit kushtetutshmëri-transparencë, Partia Demokratike e fton zotin Edi Rama dhe të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të marrë pjesë aktivisht në nismën e Kuvendit për transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, në përputhje me vendimin e miratuar prej Kuvendit. Për zgjedhjet më të mira që kanë pasur shqiptarët këto 20 vjet, dje socialistët treguan se nuk u intereson transparenca, por tymnaja dhe vetëm tymnaja për çështjen e zgjedhjeve. Për Kuvendin e Shqipërisë është realizuar dhe përmbyllur, në përputhje me Kushtetutën, një nga temat më të nxehta të jetës politike në këto shtatë muaj, të cilat përbënin njëkohësisht edhe flamurin e betejës politike të opozitës. Për pasojë, tani ajo që mbetet është zbatimi në praktikë i vendimit të Kuvendit. Maxhoranca deklaron se do t’u qëndrojë të gjitha atyre premtimeve të bëra publikisht, duke realizuar kështu edhe parakushtet e tjera të deklaruara për arritjen e konsensusit politik, me qëllim ushtrimin e rolit kontrollues të Kuvendit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, - është shprehur Gumi.

Ruseti: “Topalli respektoi Rregulloren e Kuvendit gjatë seancës së djeshme”

Zëdhënësja e kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti, reagoi dje në lidhje me deklaratat e kryetarit të PS-së, Rama. Ruseti i u shpreh se kryetarja e Kuvendit, Topalli, respektoi Rregulloren e Kuvendit përsa i përket kalimit për miratim të nismës së PS-së për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. “Pretendimi i kryetarit të Grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij.
Sipas Rregullores së Kuvendit, nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj. Konfirmojmë zyrtarisht se, deri në këtë moment asnjë nga deputetët nismëtarë nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma. Në këto kushte, kryetarja e Kuvendit, në zbatim të detyrës dhe të Rregullores, u kërkoi deputetëve nismëtarë të deklaronin nominalisht vullnetin e tyre për tërheqje nga nisma. Me përjashtim të zotit Taulant Balla, asnjë nga kolegët e zotit Ruçi nuk u bashkua me të. Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma janë fakte që përgënjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave. Me votimin e mbrëmshëm, Kuvendi jo vetëm ka respektuar të drejtën kushtetuese të 35 deputetëve nismëtarë për të ngritur komision hetimor, por edhe ka zbatuar me fanatizëm dhe korrektesë absolute ligjore, Rregulloren e Kuvendit”, - është shprehur Ruseti. Në emër të Topallit ajo i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, si dhe në punimet e Komisionit Hetimor.

Halimi: “Komisioni hetimor përcakton planin e punës javën e ardhshme”

Komisioni parlamentar që do të hetojë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të përcaktojë javën e ardhshme planin e hetimit. Edhe nëse opozita do t’i lërë vendet bosh, përfaqësuesit e maxhorancës do të zhvillojnë mbledhjet e komisionit. Këtë e konfirmoi deputeti demokrat Eduard Halimi, i cili thotë se me këtë komision shumica do të kryejë transparencën e zgjedhjeve brenda kornizës kushtetuese, siç kërkojnë edhe ndërkombëtarët. “Në javën tjetër besojmë se do të fillojmë punën e komisionit, sepse komisioni sigurisht ka një axhendë, funksionon mbi bazën e rregullave të këtij shteti. Komisioni do të mblidhet. Sigurisht që të gjithë deputetët janë të mirëpritur, siç janë të mirëpritur në Parlament, do të jenë të mirëpritur edhe në komisionin hetimor dhe që do të vazhdojë me përcaktimin e planit të hetimit, e provave që do të merren, me përcaktimin e procedurave të tjera hetimore që do të ketë komisioni, një komision që do të ketë një afat normal. Sepse dispozitat e projektligjit, që përcaktonin tre muaj apo dy vjet, nuk u kaluan, por do të bazohemi në ligjin aktual, i cili do t’ia lërë në dorë Kuvendit përcaktimin e afatit të komisionit”, - është shprehur Halimi.

22 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›