E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet Erion Korini, shtyu të fejuarën në vetëvrasje

Tri ditë pas arrestimit të tij, gjykata vendosi të lërë të lirë të akuzuarin, i cili duhet të paraqitet në polici një herë në muaj


Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë për të kantautori pranoi ushtrimin e dhunës dhe shprehu pendesë


TIRANË- Gjykata liron këngëtarin Erion Korini, ndërsa ai pendohet për dhunën e ushtruar ndaj të fejuarës së tij, M. S, tri ditë më parë në kryeqytet, ndërsa për shkak të dhunës së ushtruar prej tij vajza 24- vjeçare tentoi vetëvrasjen. Shkak për veprimet e dhunshme të tij ndaj të fejuarës, Korini pohoi se kishte qenë largimi i saj nga shtëpia për disa ditë.


Me kërkesë të prokurorit të çështjes, gjyqtarja e masave në Gjykatën e Tiranës, vendosi të lirojë nga burgu kantautorin Erion Korini, duke dhënë për të një masë më të lehtë.


Ndaj tij gjykata caktoi masën shtrënguese "detyrim për paraqitjeje" deri në përfundim të procesit hetimor, ndërsa akuzohet për veprën penale shtyrjes në vetëvrasje. Gjyqtarja Rezarta Vigani, pasi dëgjoi prokurorin e çështjes dhe pendesën e këngëtarit Korini, vendosi ta lirojë nga burgu, me qëllim për t'u hetuar në gjendje të lirë nga prokuroria.


Korini 33 vjeç, akuzohet për veprën penale të "shkaktimit të vetëvrasjes" e mbetur në tentativë dhe "dëmtime të tjera me dashje" ndaj të fejuarës së tij 24- vjeçare me inicialet M.S, nga Përmeti. Këngëtari Korini, i dyshuar për kryerjen e këtyre dy veprave penale, pranoi se kishte mosmarrëveshje mes tij dhe të fejuarës, që kishin lindur kohët e fundit.


"Nuk kam pasur asnjëherë si qëllim ta lëndoj sadopak e jo më ta detyroj të kryejë vetëvrasje. Jam i shokuar dhe gjithçka erdhi pas debateve mes nesh, për shkak se më kishte ikur dy ditë nga shtëpia. U munduam ta sqaronim me fjalë, por nuk u përmbajta dhe e qëllova",-mësohet të ketë thënë para gjykatës kantautori Korini duke shprehur pendesë për gjestin.


Prokurori, në fjalën e tij i kërkoi gjykatës që këngëtari Korini të lirohet nga burgu me masën e sigurisë "detyrim për paraqitjeje" deri në përfundim të hetimeve, pasi nuk përbën rrezikshmëri shoqërore apo pengesë për hetimin e çështjes në gjendje të lirë të tij. Gjykata, pasi dëgjoi palët, vendosi ta lirojë Korinin duke e urdhëruar të paraqitet një herë në muaj në Komisariatin e Policisë më të afërt me vendin e banimit.


Tri ditë më parë, në ballkonin e katit të katërt të një pallati në rrugën "Konferenca e Pezës", pranë një qendre tregtare, fare pranë kryqëzimit me rrugën "Babë Rexha", M.S, 24 vjeçe, e fejuara e këngëtarit, në kushtet e tronditjes së rëndë psikike tentoi të vetëvritet.


Në një nga apartamentet e këtij pallati, ata banonin prej disa muajsh dhe sipas burimeve të policisë, ata kishin nisur të kishin mosmarrëveshje. Në vendin e ngjarjes kanë arritur forcat e policisë dhe efektivë të RENEA-së të cilët kanë filluar negociatat me vajzën për të mos u hedhur nga ballkoni.


Pas disa minutave negociata me të, vajza është tërhequr dhe menjëherë u shoqërua në ambientet e Spitalit Ushtarak ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore. Më pas policia pas veprimeve të saj hetimore, arrestoi këngëtarin Erion Korini me akuzat e dëmtimeve me dashje dhe të shtyrjes në vetëvrasje. Gjatë marrjes së tij në pyetje i akuzuari pranoi veprimet që kishte kryer ndaj të fejuarës së tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›