Shembjet në pyllin e Sodës, tre plumba fadromistit
Ndërtimorët shembin ndërtime të ndryshme në Pyllin e Sodës; banorët përleshen me policinë; një ushtarak qëllon me armë
VLORË - Aksioni i nisur në orën 05:00 të mëngjesit në Pyllin e Sodës për prishjen e ndërtimeve të ngritura në këtë zonë pas vitit 2006 ka sjellë përplasje mes banorëve të zonës dhe punonjësve të inspektoratit ndërtimor.
Madje, njëri prej tyre ka qëlluar tri herë me armë ndaj fadromistit, duke rrezikuar jetën e tij. Janë rreth 80 vendime të cilat do të zbatohen në këtë zonë, nga të cilat rreth 50 janë banesa dhe 30 të tjerë lokale.
Tre skrepat e ndërtimorëve, të shoqëruar dhe nga numër i konsiderueshëm efektivësh policie të rendit dhe ajo special, i janë drejtuar qysh rreth orës 05:00 të mëngjesit zonës së pyllit, ku të ndarë në tre grupe kanë nisur aksionin për rrëzimin e të gjitha objekteve pa leje të ndërtuara në këtë zonë pas vitit 2006 e që nuk janë pjesë e procesit të legalizimit, pasi nuk janë fotografuar në ortofoto.
Banorët, të cilët dy ditë më parë protestuan në rrugë dhe arritën gati në përplasje me policinë për disa minuta, kanë reaguar në brendësi të lagjes, në një nga grupet, ku janë përplasur me policinë. Veç dhunës fizike janë shënuar edhe krisma armësh, fatmirësisht pa viktima.
Disa prej tyre kanë deklaruar se shteti i ka lënë vetë të ndërtojnë e duhet t'i legalizojnë edhe këto objekte për të cilat të gjitha partitë kanë deklaruar se do të legalizohen. Gjithsesi, ata janë shprehur se objektet që janë hedhur në shesh nuk janë pjesë e procesit pasi janë ndërtuar më pas.
Kulmi i përplasjeve me policinë ka arritur kur njëri prej banorëve në momentin kur fadroma po ndërhynte për prishjen e banesës së tij, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri tip pistoletë dhe ka qëlluar tri herë në drejtim të fadromistit.
Plumbat kanë përshkuar xhamat e fadromës por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ka kapur fadromistin. Pas tri goditjeve me armë, personi është neutralizuar nga forcat e policisë së ndërhyrjes dhe të rendit e më pas është shoqëruar për në komisariat ku dhe është arrestuar.
Sipas burimeve të policies, personi që qëlloi me armë zjarri është punonjës i Policisë Ushtarake dhe ka qëlluar me armën e punës.
Ndaj Marenglen Xhezajt janë ngritur akuzat "kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë", "kanosje me armë", "keqpërdorim i armës së shërbimit". Bëhet e ditur se në komisariat është shoqëruar dhe një i afërm i tij, si dhe katër persona të tjerë.
Kreu i ndërtimorëve, Gjergj Bojaxhi, ka qenë i pranishëm në terren qysh në fillimin e aksionit, ndërkohë që për mediat ai konfirmoi se vendimet tashmë do të zbatohen e nuk ka kthim pas.
"Kjo është faza e parë, - u shpreh Bojaxhi, - ku do të hiqen të gjitha ndërtimet pa leje dhe qytetarët në fjalë kanë marrë njoftimin. Përgjithësisht objektet janë në formën e banesave, por të pabanuara në pjesën dërrmuese të tyre, dhe një pjesë janë lokale.
Objekteve të banuara, - tha ai, - u kemi lënë kohë deri në fazën e dytë të aksionit tonë në Vlorë, që është muaji shtator dhe atëherë do të shemben edhe ato. Aksioni nuk do të shtrihet vetëm në Pyllin e Sodës, por do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare e më gjerë.
Deri në shtator do të punohet me identifikimin e të gjitha objekteve pa leje që janë në gjithë zonën, e mandej do të fillojë prishja". Lidhur me pastrimin e mbeturinave të inerteve, Bojaxhi u shpreh se pushteti lokal i ka të gjitha kapacitetet për të pastruar këto zona nga mbeturinat e betonta.
Aksioni i ndërtimorëve për prishjen e objekteve pa leje në Pyllin e Sodës do të vijojë deri në finalizimin e të gjitha vendimeve të marra për prishje të objekteve pa leje në zonë, të cilat nuk do të jenë të vetmet në Vlorë, por pas Ksamilit do të shtrihen edhe në zona të tjera në vend.
**************************
Proteston duke bllokuar kalimin mbi urë, pretendon pronësinë e truallit
BERAT - Një 38-vjeçar nga lagjja "Goricë" ka bllokuar ka vendosur të protestojë në një formë krejt ndryshe. Për rreth një orë ai ka bllokuar kalimin e kalimtarëve mbi Urën e Varur, e cila lidh lagjen Goricë me qytetin.
Protagonisti i kësaj ngjarjeje është Spiro Devole, i cili pasi ka vendosur një shirit bllokimi si shenjë dalluese në anë të urës, së bashku me familjarët e tij ka bllokuar lëvizjen e njerëzve në hyrje të urës dhe anasjelltas. Devole ka pohuar se ai është pronari i tokës në të cilën janë ngritur të dyja këmbët e urës dhe se zotëron të gjithë dokumentacionin e nevojshëm si pronar i këtij trualli.
Më tej ai ka pohuar se po e ndërmerr këtë veprim si një kundërpërgjigje ndaj mosdëmshpërblimit që i është premtuar si pronar para fillimit të punimeve në këtë urë në vitin 2000. Devole punon si emigrant në Greqi dhe është kthyer vetëm për të gjetur të drejtën e tij si pronar i tokës dhe për t'i kërkuar shtetit dëmshpërblimin që i takon.
Ai ka pohuar se kjo protestë e tij e ligjshme do të përshkallëzohet edhe në ditët në vijim deri në marrjen e parave të premtuara në këmbim të trruallit që ai ka ofruar për ndërtimin e kësaj ure, truall ku para fillimit të punimeve ka qenë ndërtuar edhe një kioskë e tij me të cilën ushqehej familja Devole.
Pas sinjalizimeve të marra nga kalimtarët në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë, të cilët pasi kanë bërë edhe zhbllokimin e lëvizjes në këtë urë, kanë shoqëruar për në ambientet e komisariatit 38-vjeçarin Spiro Devole.
I pyetur për ngjarjen, kreu i bashkisë, Fadil Nasufi, është shprehur se "bashkia nuk ka asnjë detyrim ndaj shtetasit Spiro Devole, pasi nuk është bashkia institucioni që merret me kthimin dhe kompensimin e pronave.
Nëse shtetasi në fjalë pretendon se pjesa ku janë vendosur këmbët e urës e ndërtuar në vitin 1998, është pronë e tij, ai duhet t'i drejtohet Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave. Për bashkinë ajo është pronë publike dhe asgjë më tepër".
************************
BERAT/ Policia Bashkiake dhe Ndërtimorët u shprehën se kanë marrë ankesa nga banorët dhe institucionet
Inspektorati ndërtimor, ndërhyrje për godinën e ish-maternitetit
BERAT - Tri ditë pas deklaratës së kryetarit të Bashkisë Berat, Fadil Nasufi, i cili denoncoi publikisht veprimet abuzive të pronarit të një universiteti privat në Berat, Astrit Veliaj, i cili ka zaptuar pronën dhe ka tjetërsuar objektin e ish-maternitetit për ta kthyer në filial, punonjësit e policisë bashkiake dhe të inspektoratit ndërtimor janë gjendur pranë këtij objekti për të pezulluar punimet.
Sipas kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë Berat, Bardhyl Buba, punimet kanë vijuar gjatë natës, duke hapur madje një gropë tjetër në territorin e godinës së ish-maternitetit.
Të gjitha mbetjet inerte sipas kreut të Inspektoratit Ndërtimor janë shpërndarë përreth territorit të një shkolle jopublike dhe Qendrës për Trajtimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, si edhe përgjatë lumit Osum duke ndotur të gjithë mjedisin. Zona ku janë depozituar mbetjet inerte është një zonë e banuar ku shumë banorë kanë ndërtuar shtëpitë e tyre.
Kryeinspektori Bardhyl Buba shprehet se pranë bashkisë kanë ardhur ankesat jo vetëm nga banorët e kësaj zone, por edhe të institucioneve që operojnë në këtë vend, për mbetjet inerte të hedhura përgjatë rrugës, duke shkaktuar jo vetëm ndotje të ambientit, por edhe vështirësi në kalim.
Odiseja e këtij problemi ka nisur që prej muajit prill të vitit të kaluar, ku puna për ndërtimin e objektit të universitetit ka nisur pa marrë leje ndërtimi nga ana e presidentit të universitetit Astrit Veliaj, ndërsa zona ku ky objekt po ndërtohet është zonë tampon.
Drejtori i Policisë Bashkiake, Sokrat Gode, shprehet se edhe pas masës së gjobës prej 2 milionë lekësh të reja dhe masave të tjera të marra nga Bashkia Berat, Prokuroria e Beratit ende nuk ka marre asnjë masë për këtë problem.
Ndërkohë kreu i Bashkisë Berat Fadil Nasufi, i ka nisur një letër Kryeprokurores së Përgjithshme Ina Rama për indiferencë të organit të akuzës ndaj pronarit të universitetit privat, i cili sipas tij ka zaptuar dhe ka tjetërsuar objektin e ish-maternitetit, ende pronë shtetërore. Gjithashtu Nasufi është shprehur se i është drejtuar dje edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ndërtimore Gjergji Bojaxhiu.
***************************
Fier, vetëm në një ditë, 6 të plagosur
FIER - Në 24 orët e fundit, në qarkun e Fierit gjashtë vetë kanë mbetur të plagosur si rrjedhojë e aksidenteve. Kështu mbrëmjen e së mërkurës në plazhin e Darëzezës shtetasi A. File, 46 vjeç, nga Fieri duke drejtuar mjetin e tij tip "Fiat Punto" me targë AG 926 DF, ka aksidentuar një 5-vjeçar, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa aksidenti i dytë është shënuar paraditen e së enjtes në fshatin Dukas Patos. Sh. Gropa, 37 vjeç, banues në këtë fshat, duke lëvizur me mjetin e tij tip "Benz" me targa FR 4550 D ka goditur një motor tip "Jamaha" me drejtues shtetasin me inicialet V.B., 46 vjeç, i cili pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në spitalin rajonal të Fierit është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë për mjekim më të specializuar. Të dy drejtuesit e mjeteve në këto aksidente janë vënë në pranga për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor".
Gjithashtu, pasditen e djeshme në fshatin Darezezë të Fierit si rezultat i përplasjes së dy motoçikletave kanë mbetur të plagosur rëndë katër persona, mes tyre dy vëllezërit Sopi përkatësisht të moshës 34 dhe 37 vjeç, të cilët ishin në një motoçikletë.
Nga kjo përplasje kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit A.Fejzullahu dhe K.Balla 43 vjeç. Ata janë dërguar në spital nga mjete të rastit me fraktura të shumta në pjesë të kokës dhe trupit. Gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.