E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet administratori i “Partizanit Paro Laçi, u tërhoqën akuzat

Autori i Lajmit: Redaksia

Lihet i lirë nga gjykata, administratori i Partizanit, Paro Laçi, i akuzuar për kanosje të futbollistit të po këtij klubi, Sokol Ishka. Në një prononcim menjëherë pasi u la i lirë, ai tha se ndihej i lodhur pasi ka qëndruar në grevë për 48 orë në rajonin e policisë. Tifozë të ekipit të Partizanit ishin të pranishëm në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të mbështetur lirimin e tij. Në fakt lirimi i tij ishte paralajmëruar, pasi Alfred Duka, avokati i Paro Laçit, administratorit të klubit të Partizanit u pat shprehur një ditë më parë se është lëshuar urdhri i lirimit nga Prokurori ndaj pritet nga momenti në moment lirimi i tij. Duka theksoi se urdhri është me ekzekutim të menjëhershëm. Nga sa mësohet, Laçi është liruar, pasi vetë futbollisti Ishka ka tërhequr denoncimin dhe akuzat e bëra nga administratorit të “Partizanit, duke u justifikuar se në momentin që ka ndërmarrë këtë veprim ka qenë i dehur. “Ka ndodhur më shumë një keqkuptim. Një incident i vogël mes meje dhe Zotit Laçi është fryrë më shumë nga mediat. Sidoqoftë, është e vërtetë që kam bërë denoncim ndaj Paro Laçit, por gjithçka e kam bërë në kushtet e një gjaknxehtësie dhe nervozizmi. Sot u paraqita për ballafaqim me Zotin Laçi, gjë e cila u kërkua nga policia, dhe e kam tërhequr zyrtarisht denoncimin”, ka deklaruar Ishka një ditë më parë në polici, një dëshmi që i ka dhënë lirinë administratorit të “Partizanit”.

Ky lajm është publikuar: 18/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›