E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Gjykatës “Të kthehen nga Greqia 1.7 milionë USD të Gjallicës”

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjykata e Tiranës urdhëron institucionin e Përmbarimit të mundësojë kthimin në Shqipëri të 1 milion e 700 mijë dollarëve që një firmë greke në Janinë qe sipas administratorëve të fajdeve rezulton ti ketë marrë nga Gjallica.
Shoqëria Desing and Construction Siontis s.a me përfaqësues Kristo Siontis rezulton sipas administratorëve të pavarur të jetë debitore ndaj Gjallicës pas një akt-marrëveshjeje të shkruar mes dy palëve me qëllim për të investuar në disa biznese. Por, pas trazirave të vitit 1997, kjo shumë nuk u kthye, ndërsa emri i Kriso Siontis është përmendur shpesh gjatë këtyre viteve nga ish-bosët e firmës piramidale Gjallica, Shemsie Kadria dhe Gani Kadria.
Vendimi
Në vendimin e gjykatëses Anila Capo thuhet se lëshohet urdhri i ekzekutimit të vendimit të administratoreve të pavarur të shoqërisë së pavarur të Gjallicës për shpalljen debitor të shumës së konsiderueshme të shoqërisë Sionitis s.a. Janinë me përfaqësues Kristo Siontis. Por, me gjithë këtë vendim të gjykatës, ku ngarkohet Përmbarimi të kryejë ekzekutimin, tërheqja e shumave të konsiderueshme të dërguara drejt Greqisë nga firmat piramidale Gjallica, Vefa dhe Cenaj është tepër e vështirë për tu kryer. I pari që këmbënguli për kthimin në Shqipëri të transfertave të bllokuara nga shteti grek ka qenë ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, i cili në 2005 hodhi idenë të ndërhyhej nga ish-presidenti Moisiu dhe ish-Kyeministri Nano për rikthimin e këtyre shumave në duart e kreditorëe me anë e një marrëveshjeje. Pas kësaj, pothuajse një vit më parë një grup i përbashkët, jo vetëm nga grupi mbikëqyrës i skemave piramidale por edhe nga Avokati i Shtetit dhe administratorë të pavarur të shoqërive huamarrëse tentuan të kontaktonin në Greqi me debitorët greke të firmave piramidale. Pavarësisht përpjekjeve, vendimi i gjykatës për tërheqjen e një milionë e 7 mijë dollarëve nuk dihet ende se si do të zbatohet dhe nga burime jo zyrtare mësohet se ai aktualisht ndodhet në zyrat e Përmbarimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Aseset në Greqi
Në fakt në shtetin grek janë zbuluar rreth 13 milionë USD, asete dhe llogari bankare të ish-piramidave shqiptare, “Gjallica”, “Cenaj” dhe “Vefa”, për të cilat tashmë administratorët e fajdeve kanë në dorë të gjithë dokumentacionin e duhur nga shteti shqiptar. Tashmë pritet që bashkëpunimi mes dy vendeve të lehtësojë punën për rikthimin në Shqipëri të shumave që janë transportuar drejt Greqisë gjatë vitit 1997, nga ish-bosët e kompanive të mashtrimit. Po kështu mësohet se këto para ishin investuar nga “Gjallica” dhe “Vefa” në kompani të ndryshme që operonin në shtetin grek, ndërsa Cenaj i ka rënë më shkurt duke i depozituar paratë në dy numra llogarie në një bankë në Athinë. Verifikimet e kryera nga Administratorët kanë nxjerr se njëra llogari përmbante 1 miliardë dhrahmi dhe tjetra 250 milionë. Për këtë shkak Cenaj vuajti një dënim në shtetin helen me 5 vite burg pasi u gjet fajtor për “evazion fiskal”. Më pas ai u arrestua sërish në bazë të urdhër arrestit shqiptar, ku vuajti rreth dy vite burg nga 10 që kishte akorduar gjykata për të.

Ky lajm është publikuar: 18/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›