Alarmohet Kryeministria, u përplas kamionçina në portë
Humbja e kontrollit të mjetit nga një shofer ka alarmuar sigurinë e Kryeministrisë dy ditë më parë. Sipas të dhënave policore, fillimisht është dyshuar për ndonjë incident, por më vonë është vërtetuar se ishte thjesht një aksident. Burimet policore bënë të ditur se bëhet fjalë për një përplasje mjeti me portën kryesore të Kryeministrisë, nga ku hyjnë delegacionet e huaja. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se në lidhje me këtë ngjarje filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Ervis K., 22 vjeç, banues në rrugën "Pandi Dardha". Sipas të dhënave konfidenciale, rreth orës 03.25 të mëngjesit, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", tek Kryeministria, duke drejtuar mjetin e tij "Nisan Novara", kamionçinë me karroceri, me targë TR 3319 R, ka dëmtuar portën e jashtme të hyrjes delegacioneve. Menjëherë është alarmuar i gjithë personeli i sigurisë, duke bërë shoqërimin e të riut, si dhe ka rritur masat në Kryeministri. Ai është marrë në pyetje për disa orë dhe në përfundim është arritur në konkluzionin se ka qenë vetëm humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit që ka shkaktuar këtë aksident, kështu që i riu është lënë sërish i lirë. Kryeministria, menjëherë ka nisur punën për rregullimin e portës së dëmtuar.