E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet kinezi që vodhi shtatë milionë USD në bankë

Ekstradohet nga Shqipëria kinezi i kërkuar në vendin e tij për vjedhjen e disa bankave. Bëhet fjalë për Lei Shen, 35 vjeç, i cili akuzohet nga drejtësia kineze për vjedhjen e rreth 7 milionë dollarëve, duke falsifikuar dokumentet. Ditën e djeshme, në Rinas, rreth orës 11.30, u ekstradua nga Shqipëria dhe iu dorëzua Interpol Kinës, shtetasi në kërkim Lei Huim Shen, 35 vjeç, banues në Kinë. Policia tha se në momentin e ekstradimit ka pasur edhe përfaqësues të ambasadës kineze.
Kjo është hera e parë që Shqipëria ekstradon një shtetas kinez drejt vendit të tij. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi ekstradimin e tij rreth një muaj më parë, për t‘u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij. Ishte gjyqtari Gerd Hoxha, i cili me kërkesë të Republikës Popullore të Kinës dhe vetë të arrestuarit në aeroportin e "Nënë Terezës" këtu e tre muaj më parë, vendosi të lejojë ekstradimin e tij në drejtim të shtetit komunist. Prokuroria e Përgjithshme ishte institucioni që përfaqësoi shtetin kinez në gjykatë, e cila me administrimin e kërkesës së autoriteteve kineze të ardhur nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, në formën e letër-porosisë, u është drejtuar togave të zeza me kërkesën për ekstradimin e 35-vjeçarit Shen. Sipas vendimit të firmosur nga gjyqtari Hoxha, i arrestuari akuzohet nga Prokuroria e rrethit West Lake, Hangzhou, Kinë, se ka kryer veprën penale të "Mashtrimit financiar", në bashkëpunim në shuma të mëdha me anë të falsifikimit të dokumenteve. Kryerjen e kësaj vepre penale, sipas kërkesës së autoriteteve të drejtësisë kineze, 35-vjeçari Shen e ka kryer gjatë kohës që ka punuar në bankën e qytetit Hangzhou në Kinë, duke përvetësuar rreth shtatë milionë dollarë amerikanë. Kjo vepër penale, sipas vendimit të gjykatës, parashikohet nga ligji penal kinez si vepër penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në fushën e pronës dhe pasurisë, për të cilën parashikohet një dënim në maksimum me burgim të përjetshëm.
Rreth një muaj më parë, gjatë shqyrtimit të kërkesës së autoriteteve kineze, në seancën gjyqësore ndodhej i pranishëm edhe konsulli i ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në kryeqytet, z. Wang Runke. Në fjalën e tij, konsulli kinez, Runke, siguroi gjykatën se "nëse ekstradohet shtetasi Lei Shen nuk do të jetë në asnjë mënyrë objekt persekutimi apo diskriminimi për shkak të racës, fesë, seksit, shtetësisë, gjuhës, bindjeve politike, gjendjes personale a shoqërore ose i dënimeve a trajtimeve të egra, çnjerëzore a poshtëruese ose i veprimeve që përbëjnë shkelje të një të drejte themelore të njeriut". Ndërsa, vetë i arrestuari 35-vjeçar Shen, gjatë fjalës së tij para togave të zeza, përveç parashtrimit të dëshirës për t‘u ekstraduar në Kinë, që të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij, u shpreh se është anëtar i Partisë Komuniste kineze (partia e vetme në Kinë) dhe nuk i kanosej asnjë nga rreziqet e përmendura nga gjykata. Sipas vendimit të ekstradimit, 35-vjeçari Shen është arrestuar mbrëmjen e datës 19 qershor 2009, konkretisht në orën 19.45 minuta nga policia gjyqësore e Komisariatit të Rinasit në kohën që po tentonte të fluturonte në drejtim të Italisë. Arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhrit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar më datë 1 qershor 2009 nga Prokuroria e rrethit West Lake, Hangzhou, Kinë, me nr. XGBZ (2009) 23009. Sipas këtij urdhërarresti, rezulton se shtetasi Lei Shen është person nën hetim për kryerjen e veprës penale të "mashtrimit financiar", në shuma të mëdha 52 milionë jen (rreth 7 milionë USD), të përfituara me anë të falsifikimit të dokumenteve në kohën që punonte në bankë. Deri dje, kur ai u ekstradua, ndodhej në paraburgimin "Mine Peza" (302) në Tiranë, në pritje që vendimi të marrë formën e prerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›