Shqipëria u kthen të huajve 40 makina të vjedhura
Vetëm gjatë këtij viti, Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me autoritetet britanike dhe italiane, ka kthyer në destinacionin e tyre 40 automjete të vjedhura të markave të shtrenjta, me pronarë shtetas të huaj. Gjithashtu, në bashkëpunim me disa prokurori në rrethe, tri makinat e fundit u kapën në Vlorë, Durrës dhe Kukës. Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të vazhdimësisë së bashkëpunimit të frytshëm të saj me disa prokurori në rrethe, ka arritur të realizojë kthimin e një numri të konsiderueshëm automjetesh të vjedhura, shtetasve të huaj pronarë të ligjshëm të tyre. Përkatësisht, këtë herë Prokuroria e Përgjithshme ka bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore Vlorë, Durrës e Kukës, si dhe në bashkëpunim me autoritetet britanike e italiane është bërë e mundur kthimi i tri makinave të vjedhura. Sipas të dhënave nga prokuroria, automjetet e kthyera janë BMW X5, BMW X3 dhe "Audi Q7". Më tej, u detajua se automjeti BMW X5 i është kthyer Anglisë, ndërsa dy makinat e tjera i janë kthyer shtetit italian. Falë këtij bashkëpunimi, që Prokuroria e Përgjithshme ka me autoritetet vendase dhe të huaja, është bërë i mundur brenda këtij viti kthimi i 40 automjeteve të vjedhura. Bashkëpunimi në këtë fushë për kthimin e automjeteve të vjedhura vazhdon, ai është shtrirë edhe me autoritetet e vendeve të tjera, ku shpejt pritet të realizohet rikthimi i automjeteve, të cilat prej kohësh qarkullojnë në Shqipëri, pronarëve të ligjshëm në shtetet përkatëse.
So. Ço.
So. Ço.