E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, në gjyq kreu i Këshillit Bashkiak

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Petrit Abedinin, kreun e Këshillit Bashkiak të Tepelenës, i akuzuar për trafik droge. Sipas dosjes, 50-vjeçari ka tentuar të dërgojë hashash në shtetin grek. Procedimi penal ka filluar në bazë të informacionit nga Policia e Gjirokastrës në datën 18 gusht 2009. Në pikën kufitare Kakavijë është bërë kontrolli i automjetit tip kamion me targa TP 2798 B dhe rimorkio me targë TP 2808 B, në pronësi të të pandehurit Petrit Abedini. Nga kontrolli i automjetit janë gjetur 43 pako të mbështjella në forma të çrregullta me qese plastmasi. Lënda narkotike është gjetur poshtë dërrasave të vendosura në dyshemenë e trajlerit. Ndërsa sipër trajlerit ka qenë e vendosur kontejneri. Sipas prokurorisë, sasia e lëndës narkotike gjithsej në të gjitha pakot ishte 35 kg. Pas aktit përkatës të ekspertimit kimik ka rezultuar se pakot në fjalë kishin lëndë narkotike të tipit kanabis sativa. Ndërkohë, mjeti në të cilën u gjet lënda narkotike drejtohej nga ana e të pandehurit Petrit Abedini. Nga akti i ekspertimit krahasues të gjurmëve papilare ka rezultuar se njëra nga gjurmët e fiksuara në qeset ku ishin lëndët narkotike i përket Abedinit, ndërsa gjurma tjetër është ende e paidentifikuar.

S. Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›