Lirohet biznesmeni i rrëmbyer grek
Presidenti i Federatës së Industrisë në Greqinë Veriore,George Milonas i cili u rrëmbye në fillim të qershorit u lirua në orët e para të mëngjesit të sotëm. Lajmi është konfirmuar dhe nga policia greke.
49-vjeçari Milonas u rrëmbye më 10 qershor nga tre persona të armatosur me armë automatikë, jashtë banesës në qytetin verior grek, Selanik. Më pas makina e tij u gjet e braktisur afro tre kilometra larg shtëpisë dhe u mor si provë nga policia.
“Ai u lirua pak pas mesnatës”- kanë bërë të ditur funksionarë të policisë- duke shtuar se “biznesmeni grek ishte shëndosh e mirë”.
Policia greke nuk ka dhënë detaje të reja në lidhje me lirimin e biznesmenit, si dhe nuk ka saktësuar nëse për lirimin e tij është paguar shpërblim apo jo. Pak ditë pas rrëmbimit u deklarua se rrëmbyesit kërkonin 50 milionë euro.
Rrëmbimet në Greqi janë të radha, por gjatë viteve 1975- 2003, Greqia u trondit nga vrasje të biznesmenëve dhe diplomatëve nga anëtarë të grupit ekstremist “17 Nëntori”.
George Milonas është i martuar me 3 fëmijë. Ai ishte dhe krye-ekzekutivi i kompanisë greke të aluminit "Alumil” e cila kishte shtrirje në Greqi, Ballkan, Afrikë dhe Lindje të Mesme. (Reuters)