Lirohet i akuzuari i Bandës së Durrësit, kërkon dëmshpërblim
I akuzuari si anëtar i bandave të Durrësit për vrasje dhe rrëmbim i drejtohet Gjykatës së Tiranës duke kërkuar një dëmshpërblim prej tetë milionë lekësh si kompensim për burgun e padrejtë. Eral Bajramaj pretendon se ka qëndruar plot 102 ditë në paraburgim dhe 409 ditë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa pas gjykimit ai është shpallur i pafajshëm. Objekti i padisë është “detyrimi i kompensimit për burgim të padrejtë në masën prej 306 000 lekësh për 102 ditë paraburgim dhe 490 000 lekësh për 490 ditë arrest në shtëpi të njësuara këto me ditët e burgut sipas nenit 6 të ligjit numër 9381 datë 28 prill 2005”. çështja është në gjykim, ndërsa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Regleta Panajoti.
DyshimiProkuroria e qytetit bregdetar dhe më pas ajo e Krimeve të Rënda kishin dyshime se Eral Bajramaj bënte pjesë në bandat kriminale të Durrësit. Pas dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli, prokuroria ngriti akuzat e rrëmbimit të personit në dëm të Bajramajt. Ai tha se “Lulzim Berisha ka diskutuar me shokët e tij për rrëmbimin e Artan Ylmiut në vitin 1999 dhe vrasjen e babait të tij Nuri Ylmiu”, ngjarje për të cilat akuzohet edhe Bajramaj. I penduari është thirrur si dëshmitar në gjyqin ndaj dy të akuzuarve nga Durrësi. Dy personat u prangosën në Durrës. Ata akuzoheshin për marrjen peng të Artan Ylmiut në vitin 1999, pasi e fajësonin atë për ekzekutimin e një shokut të tyre me mbiemër Tabaku. I ati i pengut, Nuri Ylmiu, teksa ka shkuar të flasë për lirimin e të birit është qëlluar me breshëri automatiku, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Pak më vonë, pengmarrësit e kanë lënë të lirë pengun. Dy të akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave, duke pretenduar se nuk kanë lidhje me këtë histori. Ndërsa vetë pengu deklaroi në gjykatë se ishte marrë peng nga 5 persona teksa po ecte në rrugë. Këta të pandehur u liruan prej akuzave nga Krimet e Rënda, pasi prokuroria nuk arriti t’u provonte veprën penale. Pas kësaj, çështja u rikthye në Prokurorinë e Durrësit për t’u rihetuar, ku sërish vlerësohet si një provë kryesore e kësaj çështjeje dëshmia e Adriatik Colit, i cili pretendon se ka dëgjuar prej ish-kapos së vet se vrasjen e ka bërë L.M. Për këtë çështje u pyet edhe vetë Lul Berisha, i cili mohoi të kishte dijeni për një gjë të tillë. Ai pohoi se dy të akuzuarit i kishte miq dhe se nuk kishte pasur asnjë përplasje me ta. Më pas ata fituan pafajësinë, duke u hapur rrugë dëmshpërblimit për burgim të padrejtë.
Paditëçështja e dëmshpërblimit të Eral Bajramajt po shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës, ku edhe është hedhur shorti. Tashmë shteti shqiptar duhet t’i bëjë mirë llogaritë për ndalimin apo arrestimin e personave të dyshuar për një vepër penale. Shumë shtetas u janë drejtuar gjykatave për kompensim për burgim të padrejtë, pasi më parë kanë fituar edhe pafajësinë. Rastet shqetësuese janë denoncuar nga organet e drejtësisë, të cilat ia hedhin fajin njëra-tjetrën për këto dështime. Rasti i Eral Bajramajt nuk është i pari, ndërsa të tjerë kanë përfituar një dëmshpërblim të majmë. Pëllumb Xhaferri, djali i ish-drejtuesit të firmës rentiere “Xhaferri”, ka fituar një dëmshpërblim për burgim të padrejtë, pasi është mbajtur disa kohë më tepër në burg. Mësohet se çdo javë persona që janë ndaluar apo arrestuar paraqiten në gjykatë me këtë pretendim. Fakt shqetësues janë pafajësitë e zyrtarëve të hetuar dhe gjykuar për korrupsion. Megjithëse nuk mbahen në burg, ata kanë çdo të drejtë ligjore që të kërkojnë dëmshpërblim për prishje imazhi dhe diskretitim të figurës, duke e detyruar shtetin në këtë rast të paguajë dëmshpërblimin e ardhur nga taksat. Jo më kot Eral Bajramaj i është drejtuar gjykatës, pasi pretendon se është mbajtur “peng” nga shteti për rreth dy vjet.
#