Reagime të politologëve dhe analistëve politikë serbë
Rezoluta që Senati i Kongresit të SHBA-së miratoi ditët e fundit në favor të integrimeve europiane të Serbisë dhe ku BE-së i bëhet thirrje që të mbajë një qëndrim të qartë dhe në kohën e duhur ndaj kandidaturës së anëtarësimit të Serbisë në BE, me siguri nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh tek administrata e Brukselit, venë në dukje politologë dhe analistë politikë serbë, sipas të cilëve nuk është hera e parë që miratohen rezoluta të tilla dhe rezultati nuk ka qenë i madh. Kjo është një rezolutë e përgjithshme mbështetjeje dhe si kjo ka pasur edhe më parë, por, sidoqoftë, ajo përbën një sinjal pozitiv, pasi teksti i saj është i ekuilibruar. Por, megjithatë, ajo nuk e ka atë peshë politike që të ndikojë shumë tek administrata amerikane, ndërkohë që Kongresi, sikurse e ka treguar praktika, rrallë herë ndikon te vendimet e politikës së jashtme që ndjek kjo administratë. Për më tepër, rezolutat e Senatit amerikan kanë edhe më pak ndikim te Brukseli”, vuri në duke këto ditë, në një prononcim për gazetën e përditshme serbe “Danas”, ish-ambasadori i Serbisë në Uashington, Ivan Vujaçiç. Kështu që, konsideron ai, “në këto kushte, nuk përbën ndonjë befasi dhe nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë që kjo rezolutë u miratua njëzëri, sepse miratimi në këtë mënyrë i këtyre lloj rezolutave është një praktikë e zakonshme. Sikur edhe vetëm njëri prej senatorëve të ngrihej kundër saj (rezolutës), kjo do të shkaktonte një shqetësim të madh. Këto janë rregullat e brendshme të Senatit amerikan”, theksoi ai. Aleksandra Joksimoviç, ish-ndihmëse e ministrit të Jashtëm të kohës së Unionit Serbi-Mali i Zi, nga ana e saj i vuri në dukje gazetës së lartpërmendur serbe se “interesant është fakti që në këtë rezolutë, në asnjë vend dhe në asnjë lloj mënyre, nuk përmendet Kosova, që të bën të arrish në konkluzionin se Senati amerikan nuk ka dashur ta vejë theksin te pikat e mosmarrëveshjeve mes SHBA-së dhe Serbisë, por vetëm tek aspektet pozitive të zhvillimit të marrëdhënieve mes të dyja vendeve”. Lidhur me atë se si SHBA mund ta ndihmojnë Serbinë, sa u përket integrimeve të saj europiane, duke pasur parasysh se ratifikimi i Marrëveshjes së saj të Stabilizimit dhe Asocimit me BE-në është shtyrë gjashtë muaj, megjithëse nënpresidenti amerikan Xho Bajden, gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd ofroi mbështetjen e SHBA-së për integrimet europiane të Serbisë, znj.Josimoviç vuri në dukje se “është e qartë se çështja e integrimeve europiane është një çështje që i përket BE-së”. “Por sidoqoftë, tha ajo, nëse SHBA nuk do të ishin dakord me integrimin europian të Serbisë, atëherë presioni amerikan mbi BE-në, pra në drejtimin e kundërt, do të ishte, në mënyrë të pakrahasueshme, shumë më i madh”.
#